“Personazhi i vitit 2015”, faza e II-të

22/12/2015 00:00

Ka përfunduar faza e parë e anketës “Personazhi i vitit” në faqen e internetit të Top Channel, ndërsa nga sot nis e dyta, së cilës i shtohen 10 propozimet e Top Channel.

10 personazhet më të votuara nga publiku janë:

1. Kombëtarja e futbollit dhe trajneri Giovanni De Biasi;
2. Kryeministri Edi Rama;
3. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj;
4. Ismail “Ballist” Morina, edhe pse i shpallur fitues vitin e kaluar;
5. Ish-kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti;
6. Ben Blushi, shkrimtari dhe deputeti i Partisë Socialiste, një zë i njohur kritik brenda mazhorancës, por edhe për fenomene të ndryshme shoqërore;
7. Ambasadori amerikan Donald Lu, i cili fitoi simpatinë e publikut për të folurën shqip, në kuptimin gjuhësor por edhe metaforik të fjalës, për çështje të rëndësishme siç është drejtësia;
8. Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha;
9. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri;
10. Kryetari aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Personazhet e propozuara nga Top Channel:

Komunitetet fetare – Parakalimi në Paris janarin e 2015-s vuri përpara syve të botës harmoninë fetare në Shqipëri, vetëm pak ditë pas ngjarjeve të rënda në revistën satirike “Charlie Hebdo”.

Ekipi “Skënderbeu” – Skuadra shqiptare, që hyri për herë të parë në histori në fazën e grupeve të “Europa League”.

Gjergj Bojaxhi – Kandidati i pavarur, që sfidoi dy partitë e mëdha në zgjedhjet lokale në Tiranë.

Ilir Hoxholli – Ish-kreu i Komitetit të Kulteve, nisma e të cilit ndihmon çdo javë me ndihma dhe ushqime një familje në nevojë.

Ismail dhe Gjetan Keta – Boksierët shqiptarë që shpëtuan një vajzë nga vdekja, duke u ngjitur në ring në Mynih për të siguruar të ardhurat për operacionin e saj.

Etleva Nallbani – Arkeologia që shpëtoi rrënojat e Komanit nga shkatërrimi.

Idriz Mulkurti – Gjyqtari që i dha fund gjyqit të Dritan Dajtit, pas dorëheqjes së shumë prej kolegëve të tij me radhë, pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve për vajzën dhe jetën familjare. Në mes të debateve për reformën në drejtësi, një shembull pozitiv nga Gjyqësori.

Edor Kabashi – Shqiptari nga Durrësi, fitues i Çmimit ndërkombëtar për kërkuesit e rinj për punën e tij kërkimore në fushën e Gjenetikës, për kërkimet e ALS, (Skleroza Amitrofike Laterale) e ngjashme me Alcajmerin dhe Parkinsonin.

Parid Teferici – Fituesi më i ri i Panairit të Librit 2015.

Angjelin Prelocaj dhe trupa e baletit të TKOB – Balerini i famshëm shqiptar vuri në skenë dhe më pas ia fali repertorit të TKOB-së baletin “Dasma”, një ndër më të njohurit në botë. Me këtë shfaqje, trupa e baletit shqiptar ka nisur pas 3 dekadash sërish turnetë në botë, me disa shfaqje në Itali.

Publiku, në këtë fazë të dytë mund të votojë vetëm një nga 20 personazhet në total. Emri i fituesit do të bëhet i ditur në edicionin qendror të datës 31 dhjetor.

Top Channel