‘Miss Iraku’ rikthehet në Bagdad pas 43 vitesh

21/12/2015 00:00

Konkursi ‘Miss Iraku 2015’ është rikthyer në Bagdad për të parën herë në territoret irakiane që nga viti 1972. Pas një ceremonie që zgjati për plot dy orë, nën masa të larta sigurie, Tamar Goregian, 23 vjec, u zgjodh Miss Iraku, e para armeno-irakene që fiton konkursin e bukurisë.

Konkursi u mbajt në një klub social në Bagdad, nën masa të ashpra sigurie, larg mediave dhe syve të publikut. Audienca përbëhej kryesisht nga miq dhe pjesëtarë të familjeve të konkurenteve.

Disa ditë para ngjarjes, nëntë konkurente, mes të cilave pesë vajza myslimane, u tërhoqën nga gara për shkak të frikës nga pasojat e pjesmarrjes në këtë kompeticion që konsiderohet tabo. 11 konkurente mbetën në garë. Organizatorët e konkursit të bukurisë thanë se shpresonin që fituesja do të përbënte një imazh pozitiv për gratë irakiane.

“Ne nuk i kushtojmë vëmendje vetëm bukurisë së jashtme. Këto vajza kanë marrë pjesë në shumë aktivitete gjatë javës së shkuar. Kanë vizituar një kamp refugjatësh dhe një jetimore për të parë nga afër varfërinë e popullit irakian. Ne po i dërgojmë një sinjal të fortë shoqërisë dhe botës dhe po tregojmë se irakianët kanë sakrifikuar shumë për një jetë në paqe”, thanë organizatorët.

Top Channel