Pas një seance maratonë, Parlamenti ka miratuar në orët e para të së shtunës, me votat e shumicës, buxhetin e shtetit për vitin 2016. Me 84 vota pro, 41 kundër dhe 1 abstenim, buxheti ka kaluar pas një seri diskutimesh të ashpra.
“Për vitin 2016, borxhi ulet në një minimum historik, 2.2 për qind e prodhimit të brendshëm. Për herë të parë pas vitesh të tëra, ne nuk krijojmë borxh të ri për shqiptarët. Ne kemi shpenzuar për investimet publike dyfishin e borxhit që kemi marrë”, deklaroi kryeministri Rama.
“Po 82 mijë shqiptarët që i përzutë nga Shqipëria? Ju garantoj se me këtë buxhet minimumi 60 mijë të tjerë do të përzihen vitin që vjen. Ky buxhet është buxheti i spastrimit etnik të Shqipërisë”, reagoi parardhësi i tij, Sali Berisha.
Krahas buxhetit, Parlamenti votoi edhe 7 ligjet e paketës fiskale, të cilat ndryshojnë një sërë taksash. Ndryshimet më kryesore janë heqja e taksave për biznesin me xhiro deri në 5 milionë lekë në vit, ulja për ato me xhiro nga 5 në 8 dhe rritja e kontributeve për profesionet e lira.
“Nuk ka asnjë qindarkë më shumë rritje sigurimesh. Kurse avokatët, dentistët dhe disa profesione të tjera ne s’mund t’i pranojmë të sigurohen si fasonistë”, nënvizoi Rama.
“Janë 240 projekte të cilat në kompleksitet përbëjnë mbi 100 mln euro për prapanicat e zyrtarëve. Çfarë mbetet atëherë për Tropojën, Ersekën apo Gramshin”, vijoi reagimin e tij Berisha.
Maxhoranca kaloi me 84 votat e saj edhe ndryshimet e shumëpërfolura të Kodit Penal, i cili ashpërson masat ndaj evazionit, ndërkohë që rrëzoi propozimin e opozitës për hetim ndërkombëtar të CEZ-it.
Një tjetër ligj i shumëdebatuar që kaloi me votat e shumicës ishte ai i pronave. Shumica pretendoi se ligji i jep zgjidhje përfundimtare këtij problemi, ndërsa opozita e konsideroi atë si aktin e rishpronësimit të pronarëve.
Seanca maratonë e së premtes ishte një nga më të rëndësishmet e këtij viti dhe u shoqërua me tensione të forta në sallë.
Përmes votimeve, maxhoranca ka kaluar dje edhe disa nga nismat më të rëndësishme dhe më të debatuara ligjore, të cilat patën krijuar fërkime edhe mes vetë radhëve të saj, veçanërisht sa u takon masave antievazion.
Kështu, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjet “për akcizat”, “për taksat kombëtare”, “për sistemin e taksave vendore” dhe “për mbledhjen e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”
Mes të tjerash, me 85 vota Kuvendi miratoi shtesën në ligjin “për sigurimet shoqërore” dhe në atë “për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”. Me shumicë të cilësuar u votua edhe Kodi i Familjes që mori 86 vota pro.
Në fund, u bë edhe votimi për anëtarët e KQZ-së, Edlira Jorgaqi, që ishte propozim i maxhorancës, dhe Klemnet Zgurit, propozim i opozitës. Pasi morën votat e mjaftueshme, ata u betuan edhe para deputetëve të Kuvendit.
Top Channel