Kolumbi, zbulohet “thesari” më i madh nënujor

05/12/2015 00:00

Rrënojat e një anijeje spanjolle të mbushur me një thesar të jashtëzakonshëm, e cila u mbyt nga britanikët më shumë se 300 vite më parë, tashmë është gjetur sipas asaj që bën të ditur Presidenti kolumbian, Juan Manuel Santos.

“Një lajm i madh. Kemi gjetur anijen tregtare ‘San Jose’”, shkroi presidenti përmes llogarisë së tij në Tëitter. Rrënoja e anijes u zbulua pranë qytetit portual të Kartagjenës.

Ajo përshkruhet si “kupa e shenjtë” e anijeve të mbytura gjatë gjithë historisë, pasi mësohet të ketë qenë duke transportuar sasinë më të madhe të sendeve me vlerë të humbur ndonjëherë nëpër ujëra detare.

Santos tha gjithashtu se ngarkesa e saj vlen të paktën 1 miliard dollarë në ditët e sotme.

Anija “San Jose” transportonte ar, argjend, gurë të çmuar dhe stoli të tjera të mbledhura në kolonitë e Amerikës së Jugut, që do të dërgoheshin për në Mbretërinë e Spanjës për të ndihmuar financimin e luftës së tij të “trashëgimisë” kundër britanikëve, kur u mbyt në qershor të 1708-s.

Anija në fjalë u sulmua nga një anije luftarake britanike vetëm pak milje nga porti i Kartagjenës.

Zyrtarët kolumbianë nuk duan ta zbulojnë vendndodhjen e saktë të rrënojave të anijes, por Santos tha se gjetja “konstituon një prej zbulimeve më të mëdha të trashëgimisë nënujore në historinë e njerëzimit, nëse nuk mund të thuhet më e madhja”.

Ai tha se duhet të ndërtohet një muze në Kartagjenë, ku të mund të strehohet e gjithë pasuria e anijes. Pronësia e asaj anijeje ka qenë subjekt i një beteje ligjore prej vitesh të tëra.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel