Edhe në Angli mund të ndërtohet pa leje…madje edhe një kështjellë

10/11/2015 04:25

Jo vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të botës, marrja e një leje ndërtimi është e vështirë, por edhe e kushtueshme dhe në shumicën e rasteve ajo nuk të miratohet nëse nuk plotëson kriteret e sanksionuara në ligj.

Por nëse mendoni se në vitet 2000 është ndërtuar pa leje vetëm në vendin tonë, atëherë e keni gabim. Madje një fermer në Angli ka arritur të ndërtojë një kështjellë pa marrë asnjë leje nga institucionet përkatëse, ndërsa tashmë që gjithçka ka dalë në dritë ai po përballet me ligjin, duke rrezikuar edhe burgun.

Ishte viti 2000 kur fermeri anglez, Robert Fidler, tashmë në moshën 67 vjeçare vendosi të ndërtojë një kështjellë në pronën e tij në Salfords, por për të ai nuk siguroi një leje ndërtimi. Megjithatë, ai kishte një tjetër plan. Ndërtoi më parë një mur gjigand me kashtë, i cili pengonte shikimin në brendësi të pronës, ndërsa më pas ndërtoi aty edhe kështjellën e tij të ëndërruar, e cila sipas “Daily Mail” ka një vlerë gati 1 milionë paund. Ai kishte menduar të shfrytëzonte një hapësirë në ligj, ku thuhej se ndërtesat që nuk janë regjistruar si të paligjshme brenda 4 viteve nga mometi që ato janë ngritur, atëherë autoritetet nuk mund t’i prekin më ato. 

Megjithatë, Fidler edhe pse po lufton fort ligjërisht për të mos e prishur këtë ndërtesë, tashmë që gjithçka u zbulua, kjo ndërtesë është drejt shembjes, pas vendimit të gjykatës. Por duket se kjo po kthehet në një çështje, pasi Robert Fidler pretendon tashmë se e ka shitur kështjellën e tij të ndërtuar fshehurazi. Gjykatësi ka hedhur poshtë këtë pretendim, duke u shprehur se kontrata e shitjes nuk është e ligjshme.

E kështu, pas kaq shumë përpjekjesh kështjella e paligjshme e 67-vjeçarit anglez duket se nuk do të qëndrojë edhe për shumë kohë në ‘këmbë’.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA