Shakira surprizon publikun në Madrid, Dua Lipa ngjitet në skenë dhe këndojnë së bashku “Antología”

05/10/2026 14:28

Një nga surprizat më të mëdha të koncerteve të Shakirës në Madrid ishte shfaqja e papritur e Dua Lipës në skenë. Dy këngëtaret performuan së bashku këngën “Antología”, një prej hiteve më të njohura të yllit kolumbian.

Momenti i veçantë u regjistrua të shtunën, më 3 tetor, gjatë serisë së 12 koncerteve që Shakira po zhvillon në kryeqytetin spanjoll, në kuadër të turneut të saj botëror “Las Mujeres Ya No Lloran”.

Para se ta ftonte Dua Lipën në skenë, Shakira e prezantoi me fjalë të ngrohta, duke shprehur admirimin për këngëtaren britanike.

“Është një nder dhe privilegj për mua të këndoj këtë këngë, e cila do të thotë kaq shumë për mua, me këtë grua që admirohet dhe dashurohet në të gjithë botën”, tha Shakira, përpara se të shtonte: “Sot, zyrtarisht e shpall veten fanse tënden”.

Më pas, të dyja këngëtaret interpretuan “Antología”, këngën e publikuar nga Shakira në albumin e saj të vitit 1995, “Pies Descalzos”. Shakira u shfaq në skenë me një kostum të kuq, ndërsa Dua Lipa zgjodhi një fustan të zi, të tejdukshëm dhe vezullues.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Top Channel (@topchannelalbania)

Në përfundim të performancës, dy yjet u përqafuan në skenë, ndërsa Shakira, e emocionuar, tha: “Zoti im, Zoti im, kjo mungonte në këtë turne”.

Për Dua Lipën, ky ishte gjithashtu një moment i veçantë. Këngëtarja britanike kishte performuar “Antología” në spanjisht në nëntor të vitit 2025, gjatë koncertit të saj në Bogota, në kuadër të “Radical Optimism Tour”. Këtë herë, ajo pati mundësinë ta këndonte këngën së bashku me vetë krijuesen e saj.

Pas koncertit, Dua Lipa ndau në rrjetet sociale emocionet për këtë bashkëpunim, duke publikuar fotografi nga skena me Shakirën.

“Një natë në Madrid me Shakirën. Faleminderit që më ftuat të dal në skenë me ju për të kënduar ‘Antología’. Ndjeva sikur ju, unë dhe publiku u bëmë një. Jam shumë mirënjohëse që mora me vete një kujtim kaq të bukur”, shkroi ajo.

Edhe Shakira publikoi fotografi nga mbrëmja, duke e përshkruar takimin me Dua Lipën si “një ëndërr të bërë realitet për shumë prej nesh”.

Shakira po zhvillon një seri prej 12 koncertesh në Madrid, të nisura më 18 shtator dhe që do të përfundojnë më 11 tetor. Për performancat e saj është ngritur një skenë e përkohshme në Iberdrola Music, ku marrin pjesë rreth 55 mijë spektatorë çdo natë. Gjatë koncerteve, këngëtarja kolumbiane ka mirëpritur në skenë edhe artistë të tjerë, por paraqitja e Dua Lipës ishte një nga surprizat më të veçanta të këtij turneu.

FOTO GALERI
1/1
Një nga surprizat më të mëdha të koncerteve të Shakirës në Madrid ishte shfaqja e papritur e Dua Lipës në skenë. Dy këngëtaret performuan së bashku këngën “Antología”, një prej hiteve më të njohura të yllit kolumbian.

Top Channel