“Vallëzimi i fundit” i Erand Sojlit është shfaqur të shtunën dhe të dielën në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Pas premierës në qytetin e Elbasanit, shfaqja nis turin nëpër teatrot e vendit nga Durrësi.
Edhe pse e shkruar në fillim të viteve 2000, shfaqja sjell në vëmendje realitete të pandryshueshme të shoqërisë. Autori, përmes lojës së aktorëve, nxjerr në pah babëzinë ndaj parasë, injorancën dhe arrogancën e manifestuar haptazi dhe që dikton raportet njerëzore.
Por, përballë tyre vendoset dashuria e cila triumfon. Ngrihet mbi çdo gjë dhe arrin ta shpëtojë njeriun. Artdashësit durrsakë kanë duartrokitur lojën e aktorëve Kastriot Shehi, Rina Narazani, Antoneta Doka, Hysen Mullajonuzi, Dhimitër Topuzi dhe Mario Elezi.
Pas kësaj shfaqjeje, festat e nëntorit pritet të ngjisin në skenën e “Aleksandër Moisiut” dramën “Kush e solli Doruntinën”, me regji të Laert Vasilit.
Top Channel