Alastair Campbell, ish-këshilltar i kryeministrit britanik, Tony Blair vjen në Tiranë me “Fitimtarët”. Me këtë titull ka botuar librin e tij, që tani vjen edhe i përkthyer në shqip. Promovimi i librit u bë në Kryeministri, ku përveç shefit të qeverisë shqiptare, pjesë e diskutimit ishin gjithashtu trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi dhe ish-trajneri i Kombëtares italiane, Arrigo Sacchi.
“Fitimitarët” e Campbell janë personazhe që tregojnë rrugën e suksesit në sport, biznes e politikë. “Për të qenë fitues -thotë Alastair Campbell- duhet të dish të krijosh një ekip të suksesshëm”.
“Ajo që është më interesante për politikën, për mua, është se mendësia më e mirë vjen nga sporti. Njerëzit mendojnë se është e dukshme që skuadrat më të mira duhet të jenë ato që janë fituese, por çfarë ndodh me ata njerëz, të cilëve nuk i pëlqen sporti? Punojnë dhe mësojnë nga sporti, sepse vetëm duke mësuar nga këto gjëra, mund të bëhesh një ekip i mirë, një udhëheqës i mirë”, u shpreh Campbell.
Për Edi Ramën rruga e suksesit ndërthur ndërveprimin, vizionin dhe strategjinë.
“Të fitosh është shumë e rëndësishme, por siç thotë Arrigo Sacchi, nuk mjafton vetëm të fitosh, por ka rëndësi se si fiton”, deklaroi kryeministri Rama.
Arrigo Sacchi, që udhëhoqi skuadrën e Milanit drejt disa trofeve, thotë se secili duhet të bëjë atë qe di të bëjë më mirë e aty ku ai jep maksimumin.
“Suksesi është sukses kur secili kryen veprimet e veta, duke shfrytëzuar maksimumin e cilësive të veta, me dinjitet dhe respekt, pastaj, nëse arrihet një fitore dakord, por edhe sikur fitorja të mos vijë, do t’i shkojë mirë këtij personi”, tha Sacchi.
Alaister Campbell sheh tek futbolli mënyrën sesi arrihet tek suksesi përmes strategjive të kombinimit, çka mesa duket nuk e sheh aq edhe në politikë, shkak për cilin mbyll librin me sugjerimin se politikanët duhet të shohin si ndërtohen ekipet në sport e të mësojnë prej kësaj.
Top Channel