Moldavia, tregu i zi i trafikimit të lëndëve radioaktive drejt ISIS-it

07/10/2015 00:00

Kontrabandistët me lidhje në Rusi janë përpjekur të krijojnë kontakte me ISIS-in e grupe të tjera ekstremiste në Lindjen e Mesme për t’iu shitur materiale radioaktive.

“Associated Press” bën të ditur se autoritetet në Europën Lindore, në bashkëpunim edhe me FBI-në amerikane kanë bllokuar këto 5 vitet e fundit 4 përpjekje të bandave kriminale për të shitur lëndë radioaktive.

Rasti më i fundit daton në muajin shkurt, kur një agjenti të fshehte iu ofrua një sasi e konsiderueshme ceziumi, mjaftueshëm për të kontaminuar disa blloqe të një qyteti. Personi që e shiste këmbëngulte të gjente një blerës nga Shteti Islamik.

Hetuesit kanë zbuluar se është një rrjet organizatash kriminale, disa prej të cilave të lidhura me agjencinë që pasoi KGB-në ruse, të cilat kanë ngritur në këmbë një treg të zi materialesh nukleare në Moldavi. Policia moldave dhe autoritetet gjyqësore i treguan “Associated Press” dosjet hetimore, me qëllimin të hidhet dritë mbi episode të tilla kaq të rrezikshme.

Sipas tyre, ftohja e marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit e ka reduktuar nivelin e shkëmbimit të informacionit, duke e bërë kështu më të vështirë të mësohet nëse trafikantët po kërkojnë mënyra për të nxjerrë në treg pjesë të atij, që shtypi i huaj e cilëson një “magazinë gjigante” materialesh bërthamore, që Rusia ka në zotërim.

Sesa është sasia e përfunduar në tregun e zi, kjo nuk dihet me saktësi. Strategjia kundër këtyre bandave ndërkohë është plot të meta. Në pjesën më të madhe të rasteve, krerët e trafikut i kanë shpëtuar arrestimit. Edhe ata pak pjesëtarë, që kanë përfunduar në pranga nuk kanë marrë dënime të gjata dhe, në disa raste, i janë rikthyer kontrabandës shumë shpejt.

“Corriere della Sera” thotë se, prej episodit të parë të këtij lloji, të regjistruar në Moldavi në 2010-n, e deri në ngjarjen e muajit shkurt është ndjekur një model, që në fakt nuk ka funksionuar ashtu siç duhej.

Efektivet janë hedhur në aksion në hapat e parë të një marrëveshjeje me kontrabandistët gjatë operacionit të fshehtë, çka u ka dhënë udhëheqësve të bandave mundësinë të largohen me lëndët e rrezikshme, tregues i qartë ky – sipas të përditshmes italiane, – se kërcënimi i një tregu të zi të nukleareve në rajonin e Ballkanit është larg vënies nën kontroll.

Arrestimi i trafikantëve, megjithatë, nuk është realizuar dot, për shkak se krerët e grupit kanë mundur të arratisen, ndërsa edhe ata që kanë përfunduar në pranga nuk kanë marrë dënime të gjata, e në disa raste i janë rikthyer kontrabandës shumë shpejt.

Top Channel