Rusia provokon sërish Turqinë, një avion i dytë shkel hapësirën ajrore

06/10/2015 00:00

Turqia e thirri edhe një herë për sqarime ambasadorin rus në Ankara, pasi hapësira ajrore e vendit rezulton të jetë shkelur edhe nga një tjetër avion luftarak i Moskës.

Incidenti i parë u shënua të shtunën, një episod ky ku u përfshinë edhe dy F16-a turq, e për të cilin rusët patën një justifikim naiv: fluturimi në qiellin e Turqisë – thonë ata, – nuk zgjati veçse pak sekonda e ndodhi për shkak të motit të keq.

Nga Kremlini nuk ka asnjë fjalë ndërkohë mbi shkeljen e dytë, që sipas Ankarasë është regjistruar të dielën. Forcat Ajrore turke kanë marrë udhëzime të qarta. “Edhe një zog të fluturojë, ai do të diktohet”, i tha kryeministri Ahmet Davutoglu një televizioni vendas.

Kreu i ekzekutivit, megjithatë, u përpoq ta minimizonte mundësinë e një krize “turko-ruse” me deklaratat se linjat e komunikimit mes dy vendeve mbeten të hapura. Por, inkursioni rus, edhe pse i shkurtër, ka bërë të bien këmbanat e alarmit për NATO-n.

Pas deklaratës së përbashkët të 28 vendeve anëtare, ku paralajmërohej rreziku që bartin në vetvete veprimet e papërgjegjshme të Moskës, Sekretati i Përgjithshëm i aleancës atlantiko-veriore, Jens Stoltenberg tha se, incidentet e fundjavës në Turqi nuk duken aspak aksidentale.

“Rusia nuk ka ofruar deri më tani asnjë shpjegim të besueshëm, mbi shkeljen e hapësirës ajrore turke, e cila zgjati për një kohë relativisht të gjatë. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe NATO po e merr shumë seriozisht”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Stoltenberg shtoi se, ka një shtim të qenësishëm të pranisë ushtarake ruse në Siri, ku përfshihen edhe trupat tokësore e kapacitetet detare.

Një gjë të tillë e kishte lënë të kuptohet më herët dhe vetë kreu i Komitetit të Mbrojtjes së qeverisë ruse, Vladimir Komoyedov, përmes pohimeve se, Moska nuk e përjashton mundësinë e mësymjes së pozicioneve të rebelëve edhe me luftanije.

Bindjen se ato të fundjavës nuk ishin aspak lëvizje aksidentale dhe se, pilotët rusë e dinin fare mirë se ç’po bënin, e ndajnë edhe zyrtarët amerikanë, ndërsa Sekretari i Shtetit, John Kerry u tregua edhe më i ashpër, kur tha se Ankaraja do të kishte çdo të drejtë t’i qëllonte e rrëzonte avionët shkelës.

Top Channel