Erdogan, vizitë historike dyditore në Bruksel

04/10/2015 00:00

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan do të zhvillojë një vizitë të shumëpritur në Bruksel këtë të dielë, që zyrtarisht pritet të zgjasë për dy ditë, e cila do të dominohet nga takimet e BE-së mbi krizën e Europës për emigrantët dhe luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri.

Nisja e sulmeve ajrore nga Moska në Siri mund të afrojë avionët luftarakë të Rusisë shumë pranë kufijve të vendit anëtar të NATO-s, që nga ana e tij ka ofruar bazat e saj për avionët luftarakë amerikanë dhe vendeve të tjera aleate të koalicionit anti-ISIS. Rreziku për përplasje të paqëllimshme mes dy superfuqive të botës dhe pasiguria për qëllimet e Rusisë kanë shtuar shqetësimet në kryeqytetet e vendeve perëndimore.

Tensionet mbi procesin e ngecur të Turqisë për anëtarësim në BE, një skandal korrupsioni i qeverisë turke dhe vizita e anuluar e Erdoganit si kryeministër në vitin 2011, nënkuptojnë se mirëpritja me “tapet të kuq” është ende larg për një udhëheqës, ndaj të cilit Perëndimi është i shqetësuar se po bëhet gjithnjë e më shumë autoritarian pas 13 vitesh në pushtet.

Bashkimi Europian ka kritikuar veçanërisht sulmet ndaj medias në Turqi, gjë që e rendit shumë poshtë shtetin në fjalë në renditjen globale të lirisë së shtypit. Me dhjetëra persona janë hetuar, të akuzuar për fyerje ndaj Erdoganit, i cili mbetet gjithsesi politikani më popullor në Turqi. Edhe pse mbetet ende jashtë Bashkimit Europian, Turqia ka një rol kyç në kufijtë e saj lindorë.

Kriza më e rëndë e refugjatëve që ka prekur Europën që prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, tashmë ka bërë që qeveritë e BE-së të kthejnë sytë nga Erdogani, si ndihma e vetme parësore që mund të ndalë fluksin e numrit rekord të emigrantëve që duan t’u largohen luftrave dhe varfërisë në Siri, por edhe rritjes së radikalizmit islamik në Irak.

“Nuk mund të ndodhte në një kohë më të mirë apo më të keqe”, tha një diplomat i lartë i BE-së i përfshirë me politikat europiane ndaj Turqisë. “Europa kërkon ndihmë nga Turqia, por kjo e fundit është më pak se një muaj larg zgjedhjeve të përgjithshme dhe trazirat janë duke u rritur gjithnjë e më shumë”, shtoi ai, duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare të 1 nëntorit dhe dhunës në rritje në rajonet juglindore të Turqisë.

Top Channel