Tre mëkatet e Europës: alkooli, duhani dhe obeziteti

25/09/2015 11:50

59% e popullatës evropiane konsiderohet, sipas standardeve të organizatës botërore të shëndetit, mbi peshë ose obeze. 30% e saj vazhdon të pijë duhan, pavarësisht fushatave sensibilizuese, ndërsa shkaku kryesor i vdekjeve në kontinentin e vjetër është konsumi i alkoolit.

Në raportin e saj për shëndetin në Evropë, OBSH flet dhe për ndryshimet brenda Bashkimit Europian dhe parametra të tjerë për vdekjet e parakohshme, por nuk mungojnë lajmet e mira. Në Evropë, njerëzit jetojnë më gjatë, megjithëse nuk është e qartë se si ndodh kjo. Sipas raportit, nga viti 1990 deri më 2012, vdekshmëria për sëmundjet kryesore jo infektive, si ato kardiovaskulare, tumoret, diabeti dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes, është ulur me 2% në vit.

Madje duke kaluar edhe objektivat e Komisionit Europian prej 1,5% në vit. OBSH thotë se pritshmëritë për jetën po rriten në Evropë, megjithëse nuk është e thënë që trendi të vazhdojë të jetë i tillë, pasi zakonet dhe stili i jetës në Europë nuk po përmirësohet aspak. Përhapja e obezitetit dhe nivelet e konsumit të alkoolit dhe duhanit tregojnë se tendenca mund të ndryshojnë.

Europa, në fakt, ka konsumin më të lartë të duhanit dhe alkoolit, se kudo tjetër në botë. Në Europë, 3 në dhjetë persona tymosin dhe kulmet negative të duhanpirjes në disa vende arrijnë 60% tek meshkujt dhe 38% tek femrat. Çdo person në Europë konsumon mesatarisht 11 litra alkool të pastër në vit dhe 4% e popullsisë evropiane është e alkoolizuar. Sipas OBSH, ndryshime i këtyre zakoneve negative është edhe më i rëndësishëm se përmirësimi i teknologjisë dhe shërbimeve që vlerësohen me rritjen e jetëgjatësisë tek njerëzit.

Top Channel