Debate në Parlament për krijimin e zonave të lira ekonomike

28/05/2015 00:00

Erjon Braçe listoi disa nga lehtësitë fiskale, që ligji i zonave të lira u jep bizneseve që do të investojnë në to.

“Zhvilluesi dhe përdoruesi përjashtohen nga pagesa e 50% të normës së tatimit të fitimit për 5 vitet e para. Furnizimi i mallrave shqiptare, të destinuara për t’u vendosur në zonë, konsiderohen si furnizim për eksport me shkallë zero. Projekti i zhvilluesit përjashtohet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Ndërtimet e realizuara në këtë zonë, sipas projektit të zhvilluesit, përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për një periudhë 5-vjeçare. Shpenzimet për pagat dhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore që punëdhënësi paguan për punëmarrësit, njihen 150 për qind e vlerës gjatë vitit të parë fiskal të ushtrimit të aktivitetit. Në vitet në vijm shpenzimet shtesë për pagat njihen si shpenzime të njohura me 150 për qind të vlerës së tyre”, tha Erjon Braçe.

Por ish-ministri i Financave Ridvan Bode e quajti nismën e qeverisë si një përpjekje të dëshpëruar, e cila sipas tij, nuk mund ta nxjerrë ekonominë nga kriza e thellë ku ndodhet.

“Investitorët në Shqipëri nuk mund të vijnë se pretendohet apo premtohet se do të jenë 30 apo 50 biznese që në një geto të qeverisë do të kenë taraz. Investitorët vijnë atëherë kur kanë siguri se politikat fiskale në këtë vend janë konsistente. Erdhën dhe investuan në një moment, kur taksat ishin 10 për qind, sot janë në nivelin 15 për qind dhe ata po tërhiqen”, tha Bode.

Zoti Bode tha se krijimi i zonave të lira nuk mund të zbusë pasojat, sipas tij, negative nga rritja e taksave mbi biznesin gjatë dy viteve të fundit.

“Ekonomia shqiptare vuan, vuan sepse qeveria rriti taksat me 50 për qind, në të gjitha nivelet e tyre. Sot Shqipëria pas dy vitesh qeverisje të koalicionit të majtë, ka përsëri një taksë të sheshtë, po jo më 10 për qind, e ka 15 për qind. Ndërkohë që të gjithë vendet periferike me ne vijojnë të mbajnë politikë nxitëse të përgjithshme fiskale”, vijoi Bode.

Me fillimin e fushatës elektorale, Partia Demokratike është angazhuar se do të rikthejë taksën e sheshtë në nivelin 9 për qind. Por Erjon Braçe i ka kërkuar publikisht opozitës që të bëjë publike edhe pjesën tjetër të ofertës së saj fiskale, atë të taksave mbi punën.

“Dhe thoni qartazi duam që punëtorëve t’u vendosim taksa më të larta, dhe natyrisht, biznesit t’i ulim tarifën mbi fitimin. Pra, ato para që biznesi sot po paguan më shumë, doni t’ia ulni dhe t’ia jepni mësuesve, mjekëve, infermierëve. Shoqërojeni këtë gjë dhe me atë që po e merrni si angazhim sot që do të vendosni apo riktheni tatimin mbi vlerën e shtuar në të gjithë shëndetësinë. Nuk është pak, janë gati 8 miliardë lekë, thojani qytetarëve”, tha Braçe.

Veç draftit për zonat e lira, qeveria ka dërguar në Parlament edhe një tjetër ligj, i cili krijon lehtësira për investimet e mëdha strategjike.

Top Channel