Kryeministri Nikola Gruevski e ka nën kontroll të plotë sistemin shtetëror në Maqedoni. Kështu është shprehur lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, i cili tha se Gruevski dhe personat e afërt me të, përmes punësimit të militantëve partiakë kanë uzurpuar të gjitha Ministritë, sistemin e Drejtësisë, atë të Arsimit dhe Shëndetësisë.

Kreu i opozitës maqedonase tha se, dëshmi për akuzat e tij janë bisedat e përgjuara telefonike të kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij, që u publikuan në një konferencë për media.

“Edhe pse aferat e Qeverisë jo legjitime të drejtuar nga Gruevski shtohen dhe sytë e bashkësisë ndërkombëtare janë kthyer te sistemi gjyqësor në Maqedoni, kryeministri vazhdon të vendosë njerëzit e tij në Gjyqësor dhe në Hetuesi. Shembulli i fundit është emërimi i kryetarit të Këshillit Gjyqësor, të cilin e ka nën kontroll”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Për të dëshmuar ndikimin e Qeverisë në sistemin gjyqësor, Zaev publikoi një bisedë të përgjuar telefonike, që sipas tij zhvillohet midis shefit të policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ministres së Brendshme, Gordana Jankulovska, ku ata merren vesh për emërimin e Gordana Geshkovskës në Prokurorinë publike në Shkup. Geshkovska, ka qenë prokurore në procesin gjyqësor “Monstra”, ku 6 shqiptarë u dënuan me burgim të përjetshëm.

“Në fund do të dëgjoni për kapjen e plotë të Gjyqësorit nga Qeveria. Me urdhër të Sasho Mijalkov emërohen prokurorët publik, mes të cilëve edhe Gordana Geshkovska, e njohur për disa procese gjyqësore kontroverse. Po ashtu, me këto materiale dëshmohet politizimi partiak i plotë i Prokurorisë”, tha Zoran Zaev.

Ndërkohë, edhe në materialet e fundit që publikoi opozita, dëgjohen funksionarët maqedonas duke përdorur terma ofenduese për shqiptarët.

Top Channel