Kompanitë e huaja transferojnë fitimet

01/04/2015 00:00

Bizneset e huaja që kanë investuar në Shqipëri, rritën fort fitimet e
transferuara jashtë vitin e kaluar. Sipas shifrave të fundit në bilancin
e pagesave, pjesa e debisë në zërin e të ardhurave nga investimet u
rrit me 3 herë, nga 81.7 milionë euro që ishte në 2013-ën në 240 milionë
një vit më parë.

Në këtë zë hyjnë fitimet e nxjerra jashtë nga kompanitë e huaja dhe interesat që vendi paguan për borxhin e jashtëm publik dhe privat. Por në botimin analitik të bilancit, Banka, thotë se të paktën në tremujorin e katërt të vitit, arsyeja kryesore e rritjes ishin fitimet e transferuara.

Disa nga tregjet kryesore ku janë përqëndruar bizneset e huaja, si ai financiar apo i telekomunikacioneve duken të maturuara tashmë në krahun e investimeve dhe fitimet e gjeneruara më së shumti transferohen tek bizneset mëma. Por një nga arsyet e tjera se pse fitimet e dala jashtë u rritën mund të jetë e lidhur edhe me politiken fiskale.

Nga një janari i këtij viti Qeveria e rriti me 50 për qind taksimin e dividentit, pra fitimet që kompanitë shpërndajnë tek aksionerët e tyre, nga 10 në 15 për qind. Për ta shmangur taksën, biznesi duket se i ka paraprirë kësaj lëvizje dhe vitin e kaluar, pjesën dërrmuese të fitimeve e ka shpërndarë tek ortakët, duke shtyrë ndoshta për më vonë investimet e planifikuara.
 
Dhe kjo rritje e fitimeve të dala jashtë mund të ketë qenë dhe një nga arsyet që nuk ka lejuar dobësimin e euros në tregun e brendshëm, ndryshe nga sa ka ndodhur në tregjet ndërkombëtare të valutave.

Top Channel