Prej kohësh në orbitën e Barcelonës, agjenti i Bastonit zbulon të ardhmen e mbrojtësit italian

10/06/2026 14:55

Alessandro Bastoni nuk ka ndërmend të largohet nga Interi, dhe klubi i Nerazzurrëve dëshiron ta mbajë mbrojtësin e tij kryesor.

Këtë e konfirmoi agjenti i Bastonit, Tullio Tinti, i cili këtë mëngjes vizitoi selinë e Interit, kryesisht për të përshëndetur drejtuesin Beppe Marotta.

“Isha këtu për t’i thënë lamtumirë Marottës, presidentit tim në Varese kur isha lojtar dhe kapiten,” tha Tinti, duke sqaruar se vizita nuk kishte lidhje me ndonjë transferim.

E ardhmja e Bastonit duket e qartë: “Alessandro është një lojtar i Interit dhe ka një kontratë që zgjat edhe dy vjet. Ai do ta respektojë kontratën dhe është i lumtur këtu, prandaj nuk ka pasur kurrë probleme,” shtoi agjenti.

Duke iu përgjigjur interesit të mundshëm nga Barcelona, i diskutuar në muajt e fundit, Tinti tha: “Ai do të qëndrojë te Interi, por në futboll gjithçka mund të ndodhë. Çdokush e dëshiron një lojtar si Bastoni, por ai është i lumtur aty ku është. Kjo është padyshim një kohë kur ai ndjehet në shtëpi dhe i kënaqur me klubin.”

Tinti gjithashtu kujtoi momentet e vështira të mbrojtësit gjatë sezonit të fundit: “Pati disa vështirësi, të cilat u theksuan më shumë nga jashtë. Ai ka një karakter shumë të fortë, është i qetë dhe ka lënë pas problemet.”

Në fund, agjenti foli edhe për të ardhmen e Matteo Darmian: “Ai mund të qëndrojë në Serie A, por ende duhet të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë. Tregu i transferimeve nuk ka filluar ende dhe ka punë për t’u bërë.”

Top Channel