Shpërthim në një ndërtesë në Nju Jork, të paktën 16 të plagosur

27/03/2015 00:00

Një ndërtesë është shembur dhe një tjetër është përfshirë nga flakët në Nju Jork, pas një shpërthimi.

Shërbimet e emergjencës mbërritën në vendin e ngjarjes dhe bëjnë të ditur se të paktën 16 persona janë plagosur, nga të cilët 4 ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore.

Flakë të mëdha shpërthyen jashtë një ndërtese 5-katëshe pas një shpërthimi, i cili nga të dhënat e para dyshohet të ketë ndodhur nga një rrjedhje gazi. BBC raporton se të paktën 250 forca zjarrfikëse mbërritën në vendin e ngjarjes dhe punuan për shuarjen e flakëve.

Një dëshmitar tha se, pasi dëgjoi shpërthimin ishte afruar aty pranë dhe kishte parë të paktën 6 persona të plagosur. Ai shtoi se shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, sa xhamat e ndërtesës përfunduan në anën tjetër të rrugës.

Në një video të hedhur në “Youtube” duket një ndërtesë e shembur pjesërisht dhe zjarrfikësit që mundohen të shuajnë zjarrin.  

Një pjesë e banorëve të zonës, në lindje të Manhatanit, pranë Universitetit të Nju Jorkut, u evakuuan.    

Zyrtarët thanë se ekziston frika që edhe ndërtesa tjetër mund të shembet dhe ende nuk dihet nëse ka persona të bllokuar në të.

FOTO GALERI
3/3
Forca te shumta zjarrfikese ne vendngjarje

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA