BB: Rritja ekonomike e Kosovës, pozitive por jo e mjaftueshme

20/01/2015 00:00

Përfaqësues nga Banka Botërore në Kosovë vlerësojnë se rritja prej 2.5-3% është pozitive, por e pamjaftueshme për zvogëlimin e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë. Kjo është bërë e ditur gjatë prezantimit të raportit gjashtëmujor të Bankës Botërore mbi zhvillimet ekonomike në Evropën Juglindore.

Ky raport nxjerr në pah edhe shpenzimet publike të qeverisë, që kishin performancë të dobët, ndërsa për këtë vit përfaqësuesit e BB-së kërkojnë që të ketë shkurtime të shpenzimeve, me qëllim ruajtjen e rregullit fiskal prej 2% defiçit.

Eksperti i Bankës Botërore, Agim Demukaj, gjatë prezantimit të këtij raporti ka dërguar mesazhe të qarta, duke kërkuar nevojën urgjente për konsolidimin fiskal. Ai po ashtu ka vlerësuar se vitin e kaluar kishte përformancë të dobët të të ardhurave ndërsa projeksionet në buxhetin e vitit 2015 joreale.

Sipas të dhënave, vitin e kaluar janë realizuar të ardhura mbi 1.3 miliardë euro, ndërsa këtë vit qeveria ka parashikuar të realizojë mbi 1.5 miliardë euro. Madje, sipas tij, ATK ka realizuar vitin e kaluar -17% të ardhura më pak se sa planifikimet.

Top Channel