Përmirësimi i arsimit parashkollor

24/11/2014 00:00

Deri në fund të vitit 2018, çdo fëmiijë në moshën 3 deri në 6 vjeç duhet të ketë mundësi të përfitojë nga edukimi cilësor parashkollor në kopësht, çka do të thotë më shumë mësues cilësorë, ambiente të përshtatshme dhe kurrikula bashkëkohore.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla tha se do të ndryshojë e gjithë paketa e kurrikulave për këtë moshë, si dhe do të punohet për trajnimin e mësuesve, një pikë kyçe për të mundësuar edukimin e hershëm të fëmijëve.

“Ne kemi një objektiv të qartë, një ambicie të madhe, për të mundësuar që pas vitit 2018, çdo fëmijë që përfshihet në arsimin bazë të ketë kaluar edhe nga arsimi parashkollor cilësor. Raporti fëmijë-grup në tërësi është një 21, në kopshtet publike, ndërsa në ato private në 18. Por, lejomëni të nderuar miq, të ndaj me ju faktin se kjo situatë është e mesatarizuar, pra jo në çdo kopësht në Shqipëri, raporti i fëmijëve për mësues apo edukatorë është i tillë, ndaj ne nuk do të vijojmë në fakt të flasim raporte të mesatarizuara, por po shikojmë të dhënat”, tha ministrja Lindita Nikolla.

“Studimet tregojnë se rreth 20% e fëmijëve, që vijnë nga familjet e varfëra, nuk mund të përfitojnë nga sistemi parashkollor, në krahasim me 40% që përbëjnë fëmijët, që vijnë nga familjet e pasura. Në sistemin aktual, fëmijët e pakicave, por edhe fëmijët me aftësi të kufizuara, ndeshin vështirësi për të përfituar nga këto shërbime”, tha Antonella Scolamiero, përfaqësuese e UNICEF.

Ministrja e Arsimit, brenda dhjetorit, do të përfundojë reformën ku çdo mësues të jetë në profilin e tij dhe do të punohet, që të ketë më shumë mësues në kopshte.

Top Channel