Kontrollet në universitetet private

20/08/2014 00:00

Ministria e Arsimit ka bërë publike shkeljet e konstatuara në Shkollën e Lartë Ndërkombëtare. Nga 37 kritere që duhet të përmbushë një institucion jopublik i arsimit të lartë, kjo shkollë ka shkelur 16 prej tyre duke zhviluar programe arsimore të paliçencuara.

“Ka ofruar një program studimi të paliçencuar, është programi për menaxhim në master shkencor. Nga verifikimet rezulton se për vitin akademik 2012-2013 në këtë program janë diplomuar 22 studentë. Ndërsa në periudhën 2013-2014 janë regjistruar me kohë të pjesshme 3 studentë. Për 22 studentët e diplomuar në regjistrin e diplomimit nuk gjenden të dhëna”, deklaroi Plarent Ndreca, sekretar i përgjithshëm i MAS.

Kjo shkollë e lartë, sipas Ndrecës, ka lëshuar diploma edhe pse nuk ishte akredituar më parë. “Ka rezultuar që institucioni në fjalë ka lëshuar diploma para procesit të akreditimit. Nga deklarimi i saj rezulton se, në programin e menaxhimit janë diplomuar studentë në shkelje me ligjin për arsimin e lartë ku cilësohet se: çdo institucion i arsimit të lartë para lëshimit të diplomave i nënshtrohet procesit të akreditimit të parë”, saktësoi Ndreca.

Një tjetër shkelje e kësaj shkolle të lartë është mungesa e stafit pedagogjik sipas kritereve të përcaktuara. “Nuk ka numrin minimal të stafit akademik, që duhet të jetë shtatë. Nuk ka as 3 nga këta anëtarë të stafit me titullin dhe gradën shkencore”, shtoi Ndreca.

Ky institucion i arsimit të lartë, sipas Ndrecës, nuk ka deklarauar në mënyrë reale faturat që paguanin studentët për t’u arsimuar në të, ndërkohë që mësimi zhvillohej në një godinë pa leje e cila është futur në proces legalizimi.

Top Channel