Fermerja 13-vjeçare, Leorena nga Fishta, ndan ditët mes shkollës dhe pasionit për kuajt

09/06/2026 16:39

Vetëm 13 vjeç, por me një pasion të madh që e dallon nga bashkëmoshatarët e saj. Leorena Koleci nga fshati Fishtë i Lezhës është fermerja më e re e zonës, e cila pas përfundimit të mësimit ia kushton kohën e lirë kuajve, miqve të saj më të dashur.

Ajo tregon se lidhja me kuajt nisi disa vite më parë. Fillimisht si pjesë e tureve në zonë, e më pas pas një incidenti që përfshinte pikërisht këto kafshë fisnike. Që nga ajo kohë, marrëdhënia e saj me ta është bërë çdo ditë e më e fortë.

Për Lorenën, kuajt nuk janë thjesht një hobi. Ajo kujdeset për ta, kalon orë të tëra pranë tyre dhe ka mësuar të kuptojë sjelljen e secilit. Edhe pse në moshë të vogël, ajo tregon se me durim dhe dashuri mund të krijosh një lidhje të veçantë me këto kafshë.

Ky pasion ka forcuar edhe marrëdhënien me babain e saj, i cili e mbështeti që në hapat e parë. Sot, të dy ndajnë të njëjtën dashuri për kuajt dhe kalojnë një pjesë të mirë të kohës së bashku duke u kujdesur për ta.

Ndërsa vazhdon shkollën dhe ëndërron për të ardhmen, Leorena dëshiron që pasioni për kuajt të mbetet gjithmonë pjesë e jetës së saj. Një histori e veçantë që dëshmon se dashuria për natyrën dhe kafshët nuk njeh moshë.

Top Channel