Shërbime për aftësinë ndryshe, Ministrja e Shëndetësisë Sala viziton qendrën multifunksionale në Librazhd

08/06/2026 20:57

Qendrën multifunksionale për personat me aftësi të kufizuara, e ngritur përmes mekanizmit të Fondit Social në Librazhd, e vizitoi ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, dhe kryetari i bashkisë, Mariglen Visha.

Ministrja Sala vlerësoi rëndësinë e shërbimeve komunitare të integruara, të cilat mbështesin jo vetëm fëmijët me aftësi të kufizuara, por edhe familjet e tyre, përmes kujdesit të specializuar dhe ekipeve multidisiplinare.

“Angazhimi ynë është i qartë: të zhvillojmë shërbime cilësore, të aksesueshme dhe të qëndrueshme në komunitet, që i përgjigjen nevojave të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre, duke përfshirë si ofrimin e kujdesit në ambientet e qendrave, ashtu edhe në banesë”, theksoi ministrja Sala.

Sala theksoi se përmes mekanizmit të Fondit Social po ndërtohet një sistem i integruar shërbimesh dhe po forcohet partneriteti me bashkitë dhe organizatat e shoqërisë civile, me synimin që askush të mos mbetet pas.

Në Qendrën Multifunksionale në Librazhd ofrohen shërbime si fizioterapia, logopedia, terapia e zhvillimit, terapia në grup, aktivitetet psiko-sociale dhe mbështetja për familjet. Përmes Fondit Social, deri më sot janë mbështetur 39 shërbime komunitare dhe të specializuara për personat me aftësi të kufizuara në të gjithë vendin.

Top Channel