Pas protestave të artistëve të TKOB lidhur me çështjen e kontratave të punës, përfaqësues të këtij institucioni, të sindikatës dhe stafi drejues i Ministrisë së Kulturës kanë zhvilluar një sërë takimesh dhe negociatash për të sqaruar reformën dhe situatën e krijuar.
Gjatë këtyre takimeve është rënë dakord nga palët lidhja e kontratave, minimalja: 1 vit e gjashtë muaj dhe maksimalja 3 vjet e 6 muaj dhe që periudha 6-mujore tranzitore e propozuar nga Ministria të mos përfshihet në kontratat që do të propozohen në vijim.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Kulturës, periudha 6-mujore tranzitore kishte si qëllim realizimin e një procesi transparent për sistemin e vlerësimit profesional dhe kategorizimin e pagave të artistëve, i cili në kushtet aktuale, sipas saj, mungon.
Në këtë njoftim, mbi gjendjen aktuale të marrëdhënieve të punës të artistëve në TKOB, ndër të tjera renditen:
1. Mungesa e plotë e kontratave të vlefshme të punës.
2. Moszbatim të ligjit mbi Artin dheKulturën, i cili qartësisht detyron institucionin e artit të lidhë kontrata individuale mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
3. Paqartësi të vijueshmërisë së marrëdhënies së punës
Ministria ka sqaruar se ka propozuar ngritjen e një grupi të përbashkët pune me përfaqësues nga të gjithë sektorët e trupës artistike të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, të administratës së këtij institucioni dhe të administratës së MK, për të bërë të mundur hartimin e një skeme të qartë punësimi dhe zhvillimi karriere, sipas modeleve të njohura të institucioneve artistike evropiane.
Top Channel