Interi informoi të hënën për rinovimin e kontratës të mesfushorit Fredy Guarin, protagonist i një telenovele të gjatë merkatoje në muajin Janar me Juventusin.
Kolumbiani u ndërrua me Vuçiniç dhe futbollistët kaluan edhe vizitat mjekësore, por ky operacion merkatoje u bllokua në momentin e fundit nga presidenti i zikaltërve, Erick Thohir.
“Guarin mban numrin 13, numrin që gjithmonë ka ndierë si të vetin, ka një të ardhme zikaltër dhe një Botëror në të cilin do të nderojë Kolumbinë. Në emër të familjes së Interit i drejtojmë një përqafim të ngrohtë”, shkruhej në komunikatën e Interit.
Kontrata e 27-vjeçarit tashmë do të skadojë në vitin 2017, ndërsa të dhënat financiare nuk u bënë të njohura për mediat.
Autori i 14 golave me fanelën e Interit, u shpreh “shumë i kënaqur” për marrëveshjen e arritur, ndërsa konsideroi zgjatjen e kontratës si “një dëshirë afatgjatë të realizuar”, pavarësisht presionit që realizoi ai vetë në janar për t’iu bashkuar Juventusit.
Përpara Interit, Guarin ka luajtur me dy klube kolumbiane, Atletico Huila dhe Envigadom, përpara se të transferohej tek Boca Juniors argjentinase, Saint-Etienne në Francë dhe Porto në Portugali.
Top Channel