Siri, asnjë marrëveshje për paqen

31/01/2014 09:05

Raundi i fundit i negociatave të paqes midis palëve ndërluftuese të Sirisë do të mbyllet këtë të premte, me pak ose aspak progres të arritur në tryezën e bisedimeve.

Pas një jave negociatash të ndërmjetësuara nga SHBA dhe Rusia në selinë e OKB-së në Gjenevë, qeveria e Damaskut dhe grupi që përfaqëson kryengritësit e moderuar mbeten ende në debat për çështjet e përgjithshme, pa arritur të gjejnë një marrëveshje për objektivat e kësaj Konference.

Ndonëse për shkak të qëndrimeve kryekëput të kundërta u bë menjëherë e qartë që shanset për rikthimin e paqes në Siri ishin zero, diplomatët shpresuan deri në fund për arritjen e armëpushimeve të pjesshme që do të lejonin popullsinë civile që të largohej nga zonat më të goditura prej luftimeve.

Një tjetër prej pikave kryesore të vendosura në tryezën e bisedimeve ishte lejimi i aksesit të organizatave humanitare në zonat më nevralgjike të frontit, por asnjë prej këtyre objektivave nuk duket tashmë i realizueshëm.

I dërguari i OKB-së për Sirinë, Lakhdar Brahimi, gjithsesi u shpreh optimist gjatë së premtes për gjetjen e gjuhës së përbashkët në raundin e dytë të bisedimeve që do të nisin javën e ardhshme.

Ndërkohë, lufta në Siri vazhdon e përgjakshme dhe dhjetëra të vdekur numërohen në mënyrë të përditshme.

Sipas “Human Rights Watch”, mbi 130 mijë persona kanë humbur jetën në luftën civile 3-vjeçare, ndërsa 9,5 milionë nga popullsia e përgjithshme prej 22 milionësh konsiderohen si refugjatë lufte brenda apo jashtë vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA