Lajme të mira për Giusseppe Rossin, sulmuesin e Fiorentinës që në datën 5 Janar u largua në lot nga fusha e lojës pas një dëmtimi të ligamentit.
Ish-golashënuesi i Villarealit në Spanjë ka këputur dy herë ligamentet e kryqëzuara dhe një dëmtim i tretë do të kishte privuar atë nga Botërori, duke vendosur në dyshim edhe karrierën.
Megjithatë, ekzaminimet e detajuara tregojnë se dëmtimi i pësuar ndaj Torinos nuk është aq i rëndë nga sa mendohej dhe se ligamenti i kryqëzuar i gjurit të djathtë nuk është prekur.
Rossi, në fakt ka dëmtuar vetëm ligamentin anësor të gjurit dhe mund të vazhdojë një terapi riaftësuese pa pasur nevojën e hyrjes në operacion.
Për 26-vjeçarin, tashmë parashikohet që të jetë në gjendje të rikthehet në stërvitje në mesin ose fund të muajit Mars dhe nëse gjithçka shkon mirë, ai do të jetë në gatishmëri të Prandellit për të udhëtuar me kombëtaren në Botërorin e Brazilit.
Top Channel