Izrael, ushtria goditet nga hakerat

27/01/2014 16:00

Kompiuterat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë izraelite u infektuan nga një email viral, informuan të hënën mediat ndërkombëtare.

Emaili ishte bërë të dukej sikur ishte nisur nga Shërbimi i Brendshëm Sekret “Shin Bet” dhe iu dërgua disa prej figurave më të rëndësishme të vendit.

Brenda teksit ndodhej i bashkangjitur një dokument që supozohej të fliste për vdekjen e ish-kryeministrit Ariel Sharon dhe në momentin e klikimit të këtij linku niste edhe shkarkimi automatik i virusit.

Sulmi lejoi hakerat të vendosnin nën kontroll të përkohshëm 15 kompiutera, në përkatësi të forcave të armatosura.

Sipas mediave izraelite, autorë të sulmit ishin një grup piratësh palestinezë.

Mbetet e paqartë nëse sulmi i koordinuar i hakerave ishte një tentativë për të vjedhur informacion apo vetëm një shfaqje force.

Autoritetet izraelite po zhvillojnë një hetim me qëllim që të identifikojnë prejardhjen e sulmit dhe të përforcojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse në luftën kundër spiunazhit kibernetik në të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA