Përfaqësuesit e qeverisë siriane dhe opozitës do të takohen kokë më kokë në të njëjtën dhomë, pasi ditët e para të Konferencës së Paqes së Gjenevës nuk kanë arritur të prodhojnë deri më tani një kompromis.
I dërguari i OKB-së për Sirinë, Lakhdar Brahimi, i cili takoi të dy delegacionet gjatë së premtes, tha se të gjitha palët e kanë të qartë që nga ecuria e këtyre diskutimeve varet e ardhmja e Sirisë.
Deri tani, qeveria dhe kryengritësit kanë akuzuar në mënyrë të ndërsjelltë njëri-tjetrin për mungesën e progresit në bisedime.
Me kërkesën kryesore të opozitës për largimin nga pushteti të Bashar al-Assad qartësisht të parealizueshme, tashmë diplomatët po përpiqen të arrijnë lëshime të vogla dhe jo më një paqe të plotë.
Një prej objektivëve më të rëndësishëm që OKB synon të arrijë është që t’i lejohet aksesi organizatave humanitare që të dërgojnë ndihma në të gjithë anët e vendit, si dhe realizimi i armëpushimeve të pjesshme në zonat ku situata është më kritike për popullsinë civile.
Lufta civile në Siri, e cila vazhdon prej tre vitesh i ka kushtuar jetën së paku 130 mijë personave.
Dhuna ka bërë që 9,5 milionë persona të braktisin banesat e tyre, duke krijuar një krizë të rëndë humanitare brenda Sirisë dhe në vendet fqinje.
Siria kishte një popullsi prej 22 milionë banorësh përpara fillimit të luftës.
Top Channel