Jordan Ferhati, 9-vjeçari që lufton me leuceminë

05/12/2013 00:00

Familja Fehrati jetonte e qetë në një fshat të Kukësit deri në shkurtin e vitit të kaluar, kur një problem shëndetësor i djalit të tyre të vogël i tronditi ata.

“Në fillim i dhimbte gjuri, por nuk kishte asnjë shenjë dëmtimi. Pas një muaji që djali ankohej, e çova në spitalin e Peshkopisë dhe më thanë që ka mungesë kalciumi”, tregon babai i djalit.

Enver Fehrati tregon se Jordani vazhdonte të kishte ankesa edhe pas mjekimeve që i kishin dhënë doktorët për mungesë kalciumi: “I bënë një grafi dhe pas shumë konsultimesh me doktorët, njëri prej tyre më tha që ta dërgoja djalin në Tiranë sa më shpejt.”

Të shqetësuar, ata nisen drejt Tiranës dhe pas shumë analizave fëmija 7-vjeçar shtrohet në Spitalin e Pediatrisë, në pavionin e onkologjisë: “Analizat nuk dolën mirë dhe më thanë për një operacion në Itali për t’i hequr këmbën.”

Vonesat në sjelljen e analizave nga Italia dhe konstatimi i vonë i sëmundjes bënë të pamundur që gjymtyra të shërohej. Vështirësitë kanë qenë të shumta për familjen Ferhati. Në pamundësi ekonomike, ata janë detyruar të kërkojnë ndihmë nga të afërmit. Së fundmi, ata janë zhvendosur me banim në Sukth falë dashmirësisë së një biznesmeni nga Durrësi që u ka siguruar banesën.

“Tani gjendja është më e mirë, mjekimet kanë bërë punë.”

Top Channel