Zbulohen gjurmë uji në 5 planete

04/12/2013 18:15

Gjurmë uji janë gjetur në atmosferën e pesë planeteve të largët me sistemin tonë diellor.

Planetët në fjalë u zbuluan nga vëzhgimet e teleskopit “Hubble” dhe ata janë pagëzuar me emrin “Jupiterë të nxehtë”, një term referuar planeteve gjigantë që orbitojnë pranë diejve të tyre.

Për shkak se janë kaq të nxehtë, shkencëtarët përjashtojnë mundësinë që në këto planetë të ekzistojë jeta, të paktën në mënyrën se si ne e njohim atë.

Megjithatë, nga fotografimet e bëra prej këtij teleskopi gjigant të montuar në një satelit orbitues në sistemin tonë diellor, planetet e veçuara nga NASA duken qartë të mbështjellë nga një shtresë mjegulle, e cila do të ishte e pamundur të verifikohej pa ekzistencën e ujit.

Ndonëse ekzistenca e jetës në pesë planetet në fjalë përjashtohet prej nxehtësisë prej qindra gradësh celcius në secilin, zbulimi i mundshëm i ujit përbën një hap të madh përpara të shkencës, drejt identifikimit të jetës jashtëtokësore.

“Jemi të bindur se kemi parë tashmë gjurmë të ujit në disa planetë”, konfirmoi Avi Mandell, një specialist i NASA-s.

Sipas mendimit tonë shkencor, uji është një element i domosdoshëm për ekzistencën e çdo forme jete kudo që ajo të ndodhet.

Top Channel