Një skuadër e Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike përgëzoi Japoninë për progresin e bërë në stabilizimin e centralit bërthamor të Fukushimës.
Gjashtë reaktorët e Fukushimës u dëmtuan rëndë nga një tërmet që krijoi dallgë deri në 15 metra, i regjistruar në Mars 2011.
Si rrjedhojë, nga dëmtimi i reaktorëve të këtij impianti bregdetar u shënuan rrjedhje të lëndës radioaktive, e cila detyroi banorët përreth zonës të shpërnguleshin, ndërsa kriza nuk konsiderohet ende e zgjidhur.
Së fundmi, shteti japonez ka nisur një program të pastrimit të zonës nga mbetjet radioaktive dhe ndonëse procesi nuk ka përfunduar, rezultatet e para kanë qenë shumë inkurajuese.
“Largimi i mbetjeve bërthamore është një proces jashtëzakonisht i ndërlikuar. Do të duhet shumë kohë dhe një sasi e madhe uji për të realizuar këtë pastrim. Megjithatë, Japonia është duke ndërmarrë një program me të vërtetë tejet ambicioz”, komentoi ANEA.
Sipas agjensisë, në krahasim me një vit më parë janë bërë dy përpartime thelbësore.
Lënda radioaktive është larguar prej reaktorit të dëmtuar numër katër, duke u vendosur në magazinim të sigurt, ndërsa rrjedhja e ujit me përbërje radioaktive është minimizuar në maksimum.
Top Channel