Një ish-bos i drogës mund të lihet i lirë menjëherë, nëse ai do t’i paguajë Britanisë shumën e 200 milionë stërlinave.
Kjo është oferta e pabesueshme që iu bë nga një gjykatë ish-“padrinos”, Curtis “Cocky” Warren .
I dënuar në vitin 1997 për trafik droge me 12 vite heqje lirie, 50-vjeçarit iu rëndua dënimi me 13 vite më shumë, në 2009-n.
Tashmë, pas 15 vitesh të kaluar pas hekurave, oferta është e qartë: Ose ai do të derdhë në arkat e shtetit shumën e kërkuar ose do të qëndrojë në burg edhe për një dekadë më shumë.

Qëllimi i autoriteteve për të rikuperuar paratë e fituara nga Warren në mënyrë të paligjshme mund të duket i drejtë, por propozimi për të lënë të lirë në këmbim të parave një person që në të shkuarën ka kryer grabitje të armatosur, mbikqyrur transportin e 1 mijë kilogramëve kokainë, ka trafikuar kanabis, armë, granata dhe rrahur për vdekje një të bashkëburgosur ka provokuar një irritim të madh në publikun britanik.
Pasuria e Warren , gjithsesi mbetet e paqartë.
Sipas “Daily Mail”, e përditshmja që botoi këtë lajm, gjykata beson se trafikanti mund të jetë në gjendje të paguajë këtë shumë, ndërsa Warren pretendon se i ka harxhuar të gjithë paratë që ka pasur dikur.
Top Channel