Bankat shënojnë bilanc negativ

07/11/2013 00:00

Në nëntë muajt e parë të vitit, bankat shqiptare regjistruan një humbje
prej 12.7 milionë dollarë. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë
tregojnë se kjo është hera e parë në shumë vite kur sistemi bankar në
Shqipëri shënon humbje.

Deri më tani bankat shqiptare kanë mundur të ruajnë fitime pozitive pavarësisht kushteve të shtrënguara ekonomike dhe presioneve të forta të krizës. Por në tremujorin e tretë të vitit tendenca është përmbysur.
Burime nga Banka e Shqipërisë thonë se shkaqet janë disa, ku më kryesori është ai i kredive të këqija, por edhe ngadalësimi i kreditimit dhe rënia përfitimeve nga interesat e bonove të thesarit. Në tremujorin e tretë kreditë me probleme ishin 24.34 për qind.

Bankat janë të detyruara që kreditë e humbura t’i kompensojnë me fondet e tyre, përmes provigjoneve, duke përkeqësuar rezultatin financiar. Nga ana tjetër stopimi i kredisë për ekonominë, por edhe rënia e interesave të bonove ka tkurrur në tërësi të ardhurat e sektorit financiar.

Por edhe me këtë përkeqësim, shifrat tregojnë se sistemi bankar në tërësi mbetet në gjendjet të shëndoshë financiare. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, treguesi kryesor që mat aftësinë e tyre paguese ndodhet në rekordet më të larta historike, rreth 17.8 për qind në tremujorin e tretë, nga 12 për qind që është kufiri ligjor i vendosur nga Banka e Shqipërisë.

Rezultatet e provave që banka qëndrore kryen në mënyrë të vazhdueshme tregojnë se bankat private do të mbeten të shëndosha financiarisht edhe nëse vendi shkon në recesion apo kreditë e këqija rriten më shumë. Prej disa ditësh një grup me dhjetëra ekspertësh nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë mbërritur në tiranë po mbikqyrin me hollësi me hollësi situatën e sektorit financiar. Shumë shpejt ata pritet të hartojnë një raport, përmes të cilit do të rekomandojnë dhe masat konkrete për qeverinë, vecanërisht për cështjen e kredive të këqija.
 

Top Channel