Aksionet e Twitter, thuajse dyfishohen

07/11/2013 00:00

Çmimi i aksioneve të firmës “Twitter” pothuajse u dyfishua sot, në ditën e parë të shkëmbimeve në bursë.

Firma, me qendër në Shtetet e Bashkuara, filloi sot të tregtohej në bursë, me një çmim fillestar prej 26 dollarësh për aksion, por si rezultat i kërkesave të larta, shumë shpejt arriti në 50 dollarë për aksion, për t’u ulur më pas në rreth 45.

Firma “Twitter” ka mbi 230 milionë përdorues. Deri tani, kompania nuk ka pasur fitime, por disa analistë tregu thonë se të ardhurat e deritanishme prej 800 milionë dollarësh, shumë shpejt, mund të kthehen në fitime të konsiderueshme për firmën.

Twitter, aksione në bursë nga 26$
“Cicërimat” zgjedhin bursën e NYSE, ndryshe nga “Facebook” që zgjodhi NASDAQ

Twitter ka listuar aksionet e tij duke nisur nga çmimi fillestar prej 26
dollarësh, përpara debutimit të tij në bursën e New York Stock Exchange
(NYSE), ditën e enjte.

Ky çmim është pak më i lartë se ai që ishte deklaruar të hënën, mes 23-25 USD, dhe vlerëson shërbimin e mesazheve të shkurtra me mbi 18 miliardë dollarë.

Kjo gjë ka bërë që ky të jetë debutimi më i madh në bursë për një firmë teknologjike, që kur “Facebook” u shfaq në publik në maj të vitit 2012.

Twitter ka tërhequr 230 milionë përdorues që prej lançimit të tij 7 vjet më parë, por ende nuk ka korrur fitimet.

Humbjet e tij për tremujorin e tretë të vitit 2013 u rritën në 64,6 milionë dollarë, nga 21,6 milionë dollarë të një viti më parë dhe më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të të regjistruarve nuk e përdorin këtë shërbim.

Megjithatë, ka pasur një kërkesë të lartë për aksionet e tij dhe kompania arriti të rriste çmimin ofertë pothuajse dyfish.

Twitter pritet të shesë 70 milionë aksione, që do të sjellin rreth 1,82 miliardë dollarë. Ndryshe nga “Facebook”, ai ka zgjedhur të tregtojë aksionet e tij në New York Stock Exchange.

Debutimi i “Facebook” në bursën NASDAQ, tradicionalisht tregu i përzgjedhur nga firmat teknologjike, u njollos nga shtyrje dhe probleme me blerjet.

NYSE e ka testuar tregtimin e aksioneve të Twitter, në përpjekje për të shmangur ndonjë difekt teknik. Ato do të tregtohen nën simbolin “TWTR”.

Top Channel