Të gatuarit është një ndër aktivitetet më argëtuese për fëmijët! Ata do të ndihen të rëndësishëm nëse marrin pjesë në përgatitjen e ushqimeve dhe do ta konsumojnë me më shumë dëshirë atë.

Fëmijët e ndjekin nënën kudo, edhe në kuzhinë! Aty kanë mundësinë të shohin mënyrën sesi përgatiten vaktet. Kur vjen momenti, nënat duhet t’i japin hapësirë fëmijëve të përgatisin gjëra të vogla, që në fakt për ta janë të mëdha e i bëjnë krenarë.

Kuzhinierja Lena Bici thotë: “Një fëmijë 4-vjeçar mund të bëjë përsheshin me qumësht ose me kos. Mund të lyejë bukën me çokokrem dhe të mbushë gotën me lëng frutash.”

Prindërit duhet t’i lejojnë fëmijët të veprojnë bashkë me ta në kuzhinë! Specialistët kanë kuptuar se interesi i tyre është përtej pjekjes së ëmbëlsirave. Ajo që do t’i kënaqte është përfshirja në procesin e përgatitjes së ushqimeve të ndryshme. Këshilla e tyre është që fëmija të lihet i lirë. Furra është e nxehtë e thikat të mprehta, por me këshillat e duhura dhe vëmendjen e prindërve ata shumë shpejt do të fitojnë besimin për të gatuar pa ndihmën e askujt.

“Deri në moshën 8 vjeç, fëmija duhet të dijë të bëjë një vezë të skuqur ose një supë shumë të thjeshtë”, shton Lena.

Ajo tregon se nuk është e vështirë t’i mësoni fëmijës të përgatise salca të ndryshme për makarona e t’i ktheni në një nga ushqimet e preferuara të familjes suaj.

Sallatat janë shumë të rëndësishme që ata të fillojnë t’i pëlqejnë e t’i konsumojnë, si me perime edhe ato me fruta.
 
Në veçanti është një gatim, recetën e të cilit nuk ka mbetur asnjë fëmijë pa e provuar… byrekun me peta.

Kështu, kuzhina do të kthehet në një vend magjik për fëmijët tuaj ku do të mësojnë si përgatitet ushqimi, si krijohet buka, si priten perimet, aty ku vjen aroma e shijshme e supës. Mbi të gjitha do të mësojnë të vlerësojnë ushqimin e shëndetshëm!

Kryekuzhinieri më i ri në Botë

Bashkëmoshatarët e tij janë në kërkim të aventurave e argëtimit, ndërsa Flynn McGarry në kërkim të përbërësve të duhur për recetat e tij. Është vetëm 14 vjeç, por ka marrë titullin kryekuzhinier!

Nuk është i rritur mjaftueshëm për të ngarë makinen, por në CV-në e tij shënohen bashkëpunime me shefat e mëdhenj të kuzhinës në Çikago dhe Nju Jork. Rene Rexhepi, kryeshefi i famshëm shqiptaro-danez, është ndjekës i tij në Tëitter.

Filloi të gatuante në moshën 10-vjeçare sepse nuk i pëlqente ushqimi që i përgatiste e ëma e tij Meg. Kështu, ajo i bleu libra gatimi dhe e ftoi të gatuante vetë gjërat që i pëlqenin. Flynn i praktikonte aftësitë e tij pas mësimit. Shumë shpejt filloi të përgatiste receta për miqtë dhe nënën. Më pas, për një numër të vogël klientësh me një kuzhinë eksperimentale. Ndërsa sot, çdo vend është i prenotuar në restorantin e tij dhe nuk është një vend i zakonshëm, por një nga restorantet më të frekuentuara në Beverly Hills, Eureka, ku çdo natë vijnë 120 mysafirë.

Ai drejton një kurs ku jep leksione për gatimin. Nëpërmjet internetit është kthyer në një burim frymëzimi për shumë shefa kuzhine në të gjithë botën.

Gjithë këto eksperienca kanë pasuruar një talent unik të një djaloshi që po kthehet në faktor në kuzhinën e re.

Top Channel