Për herë të parë në historinë e kinematografisë së Kosovës, përmes filmit “Ballkoni” të regjisores Lendita Zeqiraj, flamuri i Kosovës gjendet në mesin e flamujve të tjerë në hyrje të festivalit prestigjioz të filmit, në Venecia.
Filmi “Ballkoni” i regjisores nga Kosova, Lendita Zeqiraj, pati të mërkurën premierën botërore para publikut. Radhët e gjata të njerëzve pranë biletarive flasin për rëndësinë e shfaqjes së filmave në këtë festival.
Pjesëmarrja e filmit “Ballkoni” në Bienalen e Venecias është e një rëndësie të veçantë, jo vetëm për regjisoren dhe njerëzit që punuan në realizimin e këtij filmi, por edhe për kinematografinë e Kosovës, duke qenë filmi i parë kosovar i përzgjedhur nga një festival me rëndësi të madhe për filmin, si ky i Venecias.
Në një konkurrencë mjaft të fortë, në mesin e 14 filmave të shkurtër, në programin “Orizzonti” regjisorja është pozitive për suksesin e filmit, duke konsideruar se faza më e vështirë ishte ajo e përzgjedhjes.
Roli kryesor në filmin “Ballkoni” është luajtur nga aktori me famë botërore, Arben Bajraktari, i cili ka luajtur edhe në filmin “Taken”.
Të mërkurën, filmi “Ballkoni” u ftua nga festivali i filmit në Varshavë, si film mik, ndërsa regjisorja Lendita Zeqiraj, si anëtare e jurisë për garën e filmave të shkurtër.
Top Channel