Numri i azikërkuesve në Gjermani ka pësuar një rritje të ndjeshme, ndërsa grupi më i madh që kërkojnë azil janë shndërruar tashmë çeçenët.
Në gjysmën e parë të vitit, rreth 43 mijë kërkesa për azil në Gjermani janë parashtruar, çka përbën një rritje prej 86% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2012.
Ky është njëkohësisht edhe niveli më i lartë i azilkërkuesve, që prej vitit 1999, kur shumë kosovarë kërkuan mbrojtje në vendet e Europës Perëndimore për shkak të luftës.
Dhuna dhe shkelja e të drejtave të njeriut janë një plagë e vërtetë në Çeçeni dhe shumica e azilkërkuesve justifikojnë me pasigurinë e jetës dhe jo me vështirësitë ekonomike, largimin e tyre nga krahinat e Rusisë Jugore.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Hans-Peter Friedrich konfirmoi: “Në gjashtë muajt e parë të vitit, pothuajse është barazuar numri i përgjithshëm i azilkërkuesve të vitit 2012, ndaj mund të thuhet se aplikimet janë dyfishuar”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme Gjermane, 9 957 shtetas rusë (pothuajse të gjithë çeçenë) kanë aplikuar për azil deri më tani, krahasuar me 4 517 sirianë dhe 3 448 afganë, që janë edhe dy grupet e tjera më të mëdhenj të azilkërkuesve.
Të dhënat zyrtare të “Eurostatit” për aplikimet për azil në vendet e BE-së në vitin 2011, shohin në vendin e parë Francën, me 57 335 azilkërkues, ndjekur nga Gjermania me 53 mijë, Italia me 34 mijë, Belgjika me 31 mijë, Suedia me 29 mijë dhe Britania e Madhe me 26 430 azilkërkues.
Top Channel