Shqipëria, borxhin publik më të lartë në rajon

22/06/2013 00:00

Shqipëria ka nivelin më të lartë të borxhit bruto në rajon (duke
përjashtuar garancinë), në gati 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, i
cili ka ardhur vazhdimisht në rritje në tre vitet e fundit.

Ajo ka gjithashtu borxhin më të lartë për t’u paguar në monedhën vendase në raport me PBB-në, në rreth 17% të PBB-së, nga 7% që është ky tregues për shtetin e dytë pas Shqipërisë, që është Maqedonia me 7%. Të dhënat bëhen të ditura në raportin e Bankës Botërore, “Europa Juglindore: Raporti i Zhvillimeve Ekonomike: Nga recesioni i dyfishtë te rimëkëmbja e brishtë”. Kombinuar dhe me faktin që pjesa më e madhe e tij është afatshkurtër, Banka Botërore paralajmëron se borxhi publik afatshkurtër vendas e ekspozon qeverinë ndaj rrezikut të rinovimit të borxhit.

Sipas Bankës Botërore, thote gazeta “Shqip”, borxhi publik është rritur në të gjithë vendet e EJL6 për vitet e fundit. Mesatarisht, borxhi i përgjithshëm qeveritar (përjashtuar garancitë dhe faturat e bankave qendrore) u rrit nga 37 për qind e PBB në fund të vitit 2011 në 42 për qind në fund të vitit 2012. Rritja e Serbisë ishte rreth 12.5 pikë përqindje, nga 39.7 në 52.2 për qind të PBB përjashtuar garancitë(duke përfshirë garancitë borxhi publik bruto i Serbisë ishte mbi 60 për qind në 2012). Më tej, Shqipëria e ndryshoi ligjin për të qenë në gjendje të kapërcente tavanin e borxhit të saj prej 60 për qind të PBB (për 2013 pritet të jetë afër 64 62 për qind). Megjithatë, vlerësimet e kredisë sovrane kanë qenë të qëndrueshme në gjithë rajonin që nga mesi i 2012 me përjashtim të IRJ Maqedonisë që kohët e fundit pati një ulje të vlerësimit në BB.

Borxhi i garantuar nga shteti është problem për disa vende dhe vazhdon të rritet. Borxhi i garantuar është mbi 11 për qind e PBB në Malin e Zi dhe mbi 8 për qind në Serbi. Ndërkohë që garancitë mbeten nën 5 për qind e PBB në Shqipëri, Maqedoni dhe Malin e Zi, ato të gjitha duket që po ngrihen ngadalë. Kosova lëshoi kohët e fundit një garanci për Kompaninë e Transmetimit të Energjisë KOSTT, por garancitë e saj janë më pak se 0.2 për qind e PBB. Garancitë në Bosnjë dhe Hercegovinë janë rreth 0.8 për qind e PBB.

Borxhi afatshkurtër, veçanërisht në monedhat vendase, ka arritur të mbizotërojë portofolin e borxhit të disa vendeve. Edhe pse në fund të vitit 2012 dy të tretat e borxhit të brendshëm të IRJ të Maqedonisë kishte afat maturimi deri në fund të vitit 2013, autoritetet arritën gjatë gjysmës së parë të vitit 2013 të zgjasin maturitetin e borxhit të brendshëm në mënyrë drastike duke zvogëluar shumën në bono thesari me maturim tremujor, dhe duke rritur ato me maturim 6-mujore dhe 12-mujor, si dhe duke emetuar bono të reja thesari me afat 3 dhe 5-vjeçar. Gati gjysma e borxhit vendas të Shqipërisë maturohet brenda fundit të vitit. Vetëm rreth një e treta e borxhit në monedhën vendase të Serbisë e ka afatin deri në fundin e vitit dhe borxhi afatshkurtër po ulet: 37 për qind e bonove të thesarit dhe obligacioneve të lëshuara në tregun vendas në 2013 janë për 53 javë ose më pak, krahasuar me më pak se gjysmën në 2012. Të gjitha bonot e thesarit dhe obligacionet që Bosnja dhe Hercegovina ka lëshuar në 2013 kanë qenë afatshkurtër, krahasuar me 57 për qind në 2012.

Top Channel