Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar pas bisedimeve me homologun Hashim Thaçi se zgjedhjet lokale në Kosovë ka gjasa të mbahen më tre nëntor.
“Jemi pajtuar për disa çështje për të cilat grupet punuese nuk kishin arritur të binin dakord, mes të cilave ajo për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Jemi të mendimit se ky proçes duhet të mbahet më 3 nëntor”, ka thënë Daçiç.
Duke mos hequr dorë nga termi “Kosovë e Metohi”, kryeministri serb ka nënvizuar se, për Beogradin është e rëndësishme që serbët e atjeshëm të votojnë në këtë proçes me dokumenta të Serbisë.
Sipas së përditshmes “Express”, në takimin dypalësh të ndërmjetësuar nga baronesha Catherine Ashton, palët kanë rënë dakord për çështjet që kanë lidhje me policinë dhe gjykatën, por jo për ato që kanë të bëjnë me telekomin dhe energjitikën.
Këtë e konfirmoi vetë shefja e Politikës së Jashtme të BE, pas takimit që përfundoi në orën 3 të mëngjesit të së enjtes. “Palët janë pajtuar për zgjedhjet lokale, policinë dhe gjykatën. Megjithatë, ato nuk mundën të pajtoheshin për çështjet e telekomit dhe energjitikës”, deklaroi Ashton.
Sipas së përditshmes kosovare, takimi i radhës ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç do të jetë me dy korrik.
Top Channel