Për dallim nga liderët e tjerë partiakë, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, nuk ka mundur ta shfrytëzojë të drejtën e tij për të votuar, pasi emri i tij nuk ka figuruar në listën e votuesve.

“Nuk isha në listën zgjedhore, edhe pse dokumentin e kam biometrik, kam pasaportë biometrike. Ministria e Punëve të Brendshme, Njësia Rajonale e Tetovës, nuk e ka informuar entin statistikor se unë kam dokument biometrik dhe kam të drejtë të votoj. Kjo na shtyn të dyshojmë se shumë çështje janë të parregullta. Sipas informacioneve që kemi në shtabin tonë, në shumë komuna ka me qindra njerëz, të cilët kanë dokumente të rregullta, por nuk janë në listat zgjedhore”, tha Menduh Thaçi.

Nga ana tjetër, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, votoi në vendlindjen e tij, në Zajaz të Kërçovës. Ai tha se është i interesuar për një proces të lirë dhe të rregullt zgjedhor.

“Do të doja të shpreh vullnetin tim për një proces të lirshëm zgjedhor, për zgjedhje të lira, demorkatike dhe të pranueshme prej të gjithë palëve. Do të doja që, të gjithë fitimtarët në këto zgjedhje, të përmbushin obligimet dhe premtimet që kanë ndaj qytetarëve”, deklaroi Ali Ahmeti.

Të drejtën e tyre për të votuar, të dielën e kanë shfrytëzuar edhe krerët shtetëtorë maqedonas, të cilët kanë kërkuar proces të qetë zgjedhor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA