Azem Hajdari, plumba dhe medalje

13/03/2013 00:00

Andrea Stefani – Shoh dhe dëgjoj Berishën që përkujton Azem Hajdarin. E
quan Lider. Një kompliment që nuk do ta bënte kurrë sikur Azemi të ishte
gjallë.

Tani e bën, sepse Azemi nuk ia rivalizon më dot pushtetin në PD. Në funksion të pushtetit Berisha e diskriminoi Azem Hajdarin. Edhe vrasjen e tij e përdori si pretekst për një grusht shteti. Tani që ka vdekur e mburr po në funksion të pushtetit. Por sado ta dredhë gjuhën Berisha, faktet denoncojnë hipokrizinë dhe demagogjinë e tij. Edhe për Azem Hajdarin.

***

Në 9 janar të vitit 1997 gazeta RD, e komanduar nga Berisha, dilte me kryetitullin: Të përjashtohet Hajdari nga grupi parlamentar! Dhe sqaronte se kjo ishte një kërkesë që grupi parlamentar i bënte strukturave drejtuese të PD. Që në thelb do të thoshte se Berisha i kërkonte Berishës përjashtimin e Azem Hajdarit nga PD. Azemi është akuzuar nga gazeta e Berishës deri edhe për terrorizëm. Sot Berisha vendos lule në monumentin e Hajdarit që e quan “lider të dhjetorit”. Por në një nga numrat e hershëm të gazetës RD shkruhet se ”Askush në dhjetorin e ’90-s nuk ka shkuar pas Azem Hajdarit, studentët dhe gjithë rinia iu bashkuan PD-së me të vetmin qëllim madhor, shkatërrimin e totalitarizmit”. Pra sa qe gjallë Azem Hajdari nuk konsiderohej lider. Madje “sindikalizmi” i tij u ndëshkua nga Berisha. Statusi i tij në grupin parlamentar të PD “u ngri”, që do të thoshte se praktikisht, ai ishte i përjashtuar. Jo pak vetë mbajnë mend 25 pyetjet që gazeta “Albania” i drejtoi publikisht Azem Hajdarit. Kam pasur rast ta intervistoj Hajdarin lidhur me këto pyetje, që në fakt, sikundër shkruan edhe Mero Baze në librin e tij “Viti ‘97”, ishin 25 denoncime të bëra me urdhër të Berishës kundër atij që sot e quan “lideri i dhjetorit”.

***

Motivet e vrasjes së Azem Hajdarit mbeten të mbështjella me mister. Por po të gjykosh mbi kritere politike shumë indicie hedhin dyshimin mbi Berishën. Për shembull sot dimë se organizator i atentatit kundër Hajdarit qe Izet Haxhia, ish-kryebodigardi i Berishës. Në grupin e atentatorëve ndodhej edhe Jaho Mulosmani. Edhe ky gjatë vitit 1997 bodigard i Berishës. Rastësi? Ekzistojnë regjistrime filmike në orët pas vrasjes së Azemit, që tregojnë Haxhinë ulur në shkallët e korridoreve të godinës së PD, ndërsa Berisha mban majë ballkonit të saj, fjalime nxitëse kundër qeverisë dhe Fatos Nanos që “vranë liderin e demokracisë”.

***

Por dyshime të forta bien mbi Berishën edhe po të gjykosh vrasjen e Azem Hajdarit sipas logjikës që Ciceroni përdori në gjyqin e famshëm kundër Krisogonit. Duke shtruar të njëjtën pyetje ciceroniane: Cui Bono, “kush përfitoi” nga krimi? Pra kush përfitoi nga vrasja e Azem Hajdarit? Ka vetëm një përgjigje: Sali Berisha. Pushtetarët socialistë nuk kishin fare interes për një incident të tillë të përgjakshëm. Grushti i shtetit i 14 shtatorit që pasoi vrasjen e Hajdarit tregon se incidenti i duhej Berishës për të luftuar socialistët po aq sa djegia e Rajhshtagut i duhej Hitlerit për të luftuar komunistët. Berisha, në përfundim të konferencës për shtyp menjëherë pas vrasjes së Hajdarit, përplasi pëllëmbën mbi tavolinë duke dhënë me këtë gjestikulacion nervoz, sinjalin e qartë se kjo punë nuk ndahej kollaj. Gjithë veprimet e Berishës dhe ngjarjet të shtyjnë të dyshosh se grushti i shtetit qe pjesë e një skenari të hartuar që më parë.

Në një analizë politike Berishës i duhej një incident i tillë si vrasja e Hajdarit. Nuk duhet harruar se Berisha pas humbjes së pushtetit në 1997, ndodhej në një pikë të vdekur të karrierës së tij politike. Të gjithë, miq të afërt dhe ndërkombëtarët ia kishin kthyer shpinën. I trembur se përgjatë një qeverisjeje 4-vjeçare të socialistëve mund të përgjigjej para drejtësisë për piramidat dhe deri ngjarjet e vitit 1997, Berisha ishte në alarm. Kjo shpjegon edhe reagimin e tij të ashpër dhe me të gjithë energjitë kundër arrestimit të gjashtë drejtuesve të PD-së të akuzuar për krime në ngjarjet e vitit ’97. Mesazhi qe i qartë. Nëse drejtësia do të guxonte të vepronte, reagimi do të ishte lufta civile. Ndërkaq, Berisha e dinte sesa më shumë kohë kalonte, aq më shumë forcohej pushteti socialist dhe rrezikshmëria e tij për Berishën. Ndaj a nuk do ishte më mirë që socialistët të largoheshin sa më shpejt nga pushteti, mundësisht pa e mbushur ende mandatin? Por për një gjë të tillë nuk mund të arrihej veçse me dhunë të armatosur. Berishës i duhej kështu një pretekst i fortë që do të justifikonte përdorimin e dhunës. Si një pretekst i tillë do të përdorej vrasja nga Kryeministri “Nano” e Azem Hajdarit. Mos vallë Hajdarin po e dekorojnë sot po ato duar që e vranë?

Gazeta “Shqip”

Top Channel