Merren peng 20 vëzhgues të OKB

06/03/2013 22:20

Të paktën 20 vëzhgues të OKB-së u zunë rob nga 30 kryengritësit sirianë në Lartësitë Golan, në kufirin mes Sirisë dhe Izraelit.

Gjithçka u mësua përmes një video, ku zëdhënësi i brigadës së kryengritësve “Martirët e Jarmukut”, kërkoi në këmbim të lirimit të robërve, zmbrapsjen e trupave besnike të Bashar al Assad-it nga fshati Xhamla.

Video qarkulloi nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Londër. Ndërkohë, ushtria e lirë siriane (FSA), forca kryesore e kryengritjes, dënoi pengmarrjen e vëzhguesve të OKB-së.

Gjenerali Salim Idriz i tha BBC-së se, ai do të bënte gjithçka për lirimin e tyre. Zëdhënësi i OKB-së, Eduardo del Buej tha se “vëzhguesit ishin në një mision furnizimi, kur u ndaluan në afërsi të pikës së vëzhgimit 58, nga persona të armatosur”.

Këshilli i Sigurimit dënoi pengmarrjen e vëzhguesve dhe kërkoi lirimin e tyre të menjëhershëm. Vëzhguesit e OKB-së ndodhen në këtë zonë prej armëpushimit, që u arrit mes Izraelit dhe Sirisë, në vitin 1974.

Kohët e fundit ka patur luftime në lartësitë Golan, mes ushtrisë dhe kryengritësve sirianë. Izraeli ka deklaruar se nuk do të përfshihet në konfliktin e Sirisë, megjithëse muajt e fundit i është kundërpërgjigjur zjarrit sirian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA