Gjyqtari turk, Xhynejt Çakër, ndihmoi Realin e Madridit për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.
Kartoni i kuq i dhënë për Nani, në kohën kur Manchester United ishte në avantazh 1-0, ishte pika kulminante e ndeshjes në “Old Trafford”, që u fitua 1-2 nga madrilenët e drejtuar prej Mourinho-s.
Një vendim i dyshimtë ky i arbitrit turk, i cili përveç protestave të lojtarëve, stafit dhe tifozëve të United, duket se do të vazhdojë gjatë të jetë në qendër të kritikave të mediave europiane.
Në pjesën e parë Reali luajti më shumë me topin, kontrolloi mesfushën, por rastet më të rrezikshme i krijuan lojtarët e Manchester United.
Portieri Diego Lopez, me një refleks për t’u admiruar, nuk lejoi që gjuajtjet e Van Persi-t dhe ajo e Ëelbeck të përfundonin në rrjetë.
Djajtë e Sër Aleks Ferguson gjejnë avantazhin në fillimin e pjesës së dytë. Atë që nuk bënë anglezët, e bënë vet spanjollët. Në minutën e 48-të, Sergio Ramos devijoi një top të Ëelbeck dhe kaloi Manchester-in në avantazh.
8 minuta më pas, arbitri turk Çakër mori një vendim të nxituar dhe ndryshoi komplet rrjedhën e lojës. Nani u ndërshkua me të kuq për një ndërhyrje ndaj Arbeloa-s në mesfushë, që maksimumi mund të ishte i verdhë.
Epërsia numerike dhe futja në fushë e Modriç përmbysi rezultatin në “Old Trafford”. Kroati barazoi me një supergol, ndërsa disa minuta më vonë Ronaldo shënoi të dytin për Realin, por portugezi ishte i vetmi që nuk festoi, për respekt të tifozëve në “Old Trafford”.
Në minutat e mbetura, United tentoi të bëjë suprizën, por kjo gjë nuk lejohet nga Diego Lopez, i cili u tregua i pamposhtur nga “djajtë e kuq”.
Çerekfinalstja tjetër e këtij kompeticioni është skuadra e Borussia Dortmund, e cila shkatërroi 3-0 Shakhtar-in, falë golave të Santana, Götze dhe Blaszczykowski-t.
Top Channel