Krerët e shtetit serb thonë se Kosova duhet të jetë e gatshme për kompromis, ndërkohë që thonë se do të bëjnë çdo gjë për të marrë datën e fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian.
Liderët serbë janë takuar në presidencë për të diskutuar për bisedimet me Kosovën, një ditë pasi kryeministri Ivica Daçiç tha se ato janë në krizë pasi nuk mund të arrihet asgjë pa ndarje.
Serbia nuk do të heqë dorë nga krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe dhe Prishtina duhet të inkurajohet për të ecur tutje, tha ai.
Porosia kryesore e zyrtarëve serbë ka qenë që Kosova duhet të bëjë kompromis. Sipas deklaratave të mëhershme, Serbia kërkon të konfirmojë kompetencat e rrjetit të komunave serbe dhe të ketë autoritet ekzekutiv, por Prishtina refuzon një gjë të tillë.
Kryeministrat Daçiç e Hashim Thaçi do të takohen të hënën, ndërsa Serbisë i duhet një progres për integrimet deri në fund të prillit.
Në takimin e fundit të zhvilluar mes tyre muajin e kaluar nuk u arrit një marrëveshje konkrete, por palët bënë të ditur se mes tyre ekziston një klimë konstruktive, që mund të çojë në arritjen e marrëveshjeve në raundet e ardhshme.
Top Channel