Shefja e Zyrës Administrative në veri të Kosovës, Adrijana Hoxhiç, ka reaguar ashpër përmes një komunikate për shtyp, në lidhje me sulmet në veri të Mitrovicës, duke thënë se qytetarët janë tejet të shqetësuar me incidentet e vazhdueshme që po ndodhin atje.
“Në muajt e fundit kanë ndodhur shumë sulme të rrezikshme ndaj qytetarëve të Mitrovicës veriore, deri më tani nga persona të panjohur”, thuhet në komunikatë.
Hoxhiç u bën thirrje organeve kompetente që të zbulojnë autorët e këtyre akteve sa më shpejtë, për shkak të pasigurisë që u është krijuar qytetarëve ditët e fundit.
Mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 22.00 në veri të Mitrovicës, nga persona të panjohur u sulmua shtëpia në të cilën jeton Tahir Memoviç, punëtor në Zyrën Administrative, por fatmirësisht përveç dëmeve materiale nuk pati të lënduar në njerëz.
Por sulmet me mjete shpërthyese, të cilat janë kthyer tashmë në rend të ditës, nuk kryhen vetëm ndaj subjekteve serbe. Javën e kaluar persona të paidentifikuar hodhën një mjet shpërthyes ndaj një pjestari të Policisë së Kosovës.
Ndërsa më herët, situata në Veri u tensionua edhe nga parakalimi i disa elementëve radikalë, të lidhur me partinë ultranacionaliste serbe të Vojisllav Sheshel.
Top Channel