Mposht Parmën 2-1, Milan i treti

16/02/2013 03:00

Parma reziston vetëm një pjesë dhe nuk arrin të ndalë marshimin e Milanit drejt një vendi në Champions-in e ardhshëm.

Kuqezinjtë fitojnë 2-1 dhe arrijnë, edhe pse përkohësisht, vendin e tretë në renditje, me pikë të barabarta me Lacion.

Nisja ka qenë e qetë, teksa skuadra e Allegri-t është dashur të presë deri në minutën e 39-të për të zhbllokuar rezultatin, falë autogolit të Paletta-s. Në pjesën e dytë Boateng për pak sa nuk dyfishon, por më pas mendon Balotelli, i cili shënon nga një goditje dënimi, në të 78-n.

I kotë goli i Sansone-s, në minutën e 3-të shtesë.

Balo: Mou, mendo si të fitosh me Realin, mos fol për mua

Sërish gol dhe sërish deciziv për Milanin. Mario Balotelli i gëzohet suksesit të fundit të ekipit të tij, si dhe i përgjigjet ironikisht Mourinho-s.

“Tashmë jemi të tretët, por e kam thënë gjithmonë se objektivi i Milanit është të synojë vendin e parë, edhe pse duket pothuajse e pamundur, rëndësi ka që jemi përpara Interit. Ndaj Barcelonës do të jetë sfidë e rëndësishme, do të mundohem të jap kontributin tim jashtë fushe. Mourinho? Duhet të mendojë se si të fitojë Champions-in me Realin e tij, s’ka pse të flasë për mua”.

Allegri: Tani radhën e ka Barcelona…

I kënaqur është edhe Massimiliano Allegri, pas fitores me Parmën.

“Ka ndeshje, në të cilat gjendesh në vështirësi, ashtu si sot (dje) kundër një Parme që ushtronte presing. Pavarësisht gjithçkaje, arritëm të kalonim në avantazh me ndihmën e një autogoli. Mund të kishim bërë më mirë, por e rëndësishme është që nuk pësuam shumë”.

Sa i përket Balotelli-t: “Kur afrohen lojtarë të këtij kalibri rritet aspekti teknik, klubi ka bërë një blerje të shkëlqyer në një moment deciziv të kampionatit, ku skuadra ka bërë një kthesë të madhe. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi në të tilla momente mund të pësosh edhe rënie fizike”.

Në fund Barça: “Do të pres përgjigjen e mjekëve për situatën e Robinho-s dhe El Shaarawy-t. Për Barcelonën do të nisim të mendojmë nga nesër (sot), më pas na presin dy ndeshje të vështira; derbi me Interin dhe Lacio. E dimë që janë ndeshje të vështira, por duhet të ruajmë përqendrimin. S’dua të harroj pa i uruar shërim të shpejtë Milito-s, pas atij dëmtimi të rëndë, që do ta mbajë jashtë fushave të blerta për një kohë të gjatë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA