Andres Iniesta u shpreh i bindur se Pep Guardiola, ish-trajneri i tij tek Barcelona, do të arrijë të imponojë stilin e futbollit spanjoll edhe tek Bayern Munchen.
“Bayern e zotëron shumë topin dhe ka lojtarë shumë cilësorë, njësoj si Barcelona. Kështu që mendoj se Guardiola do të imponojë pa vështirësi stilin e tij edhe në Gjermani”, deklaroi mesfushori i Barcelonës për gazetën ‘Bild’.
“Nuk do e ketë të vështirë. Do të jetë në krye të një klubi të madh dhe do të japë maksimumin. Nuk kam dyshime që do të jetë i suksesshëm”, vlerësoi Iniesta.
Më tej, spanjolli sqaroi edhe stilin e futbollit që e ka bërë vendin e tij të fitojë dy kampionate europiane dhe një botëror që nga viti 2008.
“Kemi vite që e praktikojmë këtë lojë dhe kjo ndihmon, por duhet të kesh edhe lojtarët e përshtatshëm për të luajtur kështu. Cdo ekip duhet ta ketë të qartë filozofinë e lojës që po zhvillon dhe lojtarët me të cilët e zhvillon. Në këtë aspekt mendoj se ne të Barcelonës kemi një avantazh të madh krahasuar me të tjerët”, shpjegoi Iniesta.
Top Channel