Juventusi në ferrin skocez

11/02/2013 00:00

Juventusi nisi përgatitjet për sfidën e Ligës së Kampionëve ndaj Celtic në kampin stërvitor të këtyre të fundit, Rangers që vitin e kaluar falimentuan dhe aktualisht luajnë në ligat inferiore të kampionatit skocez.

Formacioni i bardhezinjëve është ende në pikëpyetje i kushtëzuar nga dëmtimet. Skuadrës i është bashkuar në Skoci mesfushori i krahut të majtë, Azamoah që pas përfundimit të aventurës me Ganën e tij në Kupën e Kombeve të Afrikës, fluturoi direkt për në Londër e më pas drejt Glasgout për të qenë nën urdhërat e Kontes.

Por ky i fundit, të paktën në konferencën për shtyp të dhënë një ditë para takimit, deklaroi se nuk do të rrezikonte me aktivizimin e një lojtari që kishte 1 muaj që nuk stërvitej me pjesën tjetër të grupit. Në pikëpyetje është edhe malazezi Vucinic. Sulmuesi pësoi dëmtin në ndeshjen e së shtunës ndaj Fiorentinës në Serinë A dhe aktivizimi ose jo i tij pritet të përcaktohet pak minuta para nisjes së sfidës.

Në kampin kundërshtar shprehen optimistë për marrjen e një rezultati pozitiv. Trajneri Lenon dhe lojtarët e tij deklaruan se Juventusin do të presë një ambient “i nxehtë” në fushën e tyre dhe se tifozët do të ishin lojtari i tyre i 12-të. E në fakt kampionët skocezë në pesë ndeshjet e fundit të luajtura në fushën e tyre kanë fituar katër, përfshirë këtu edhe atë ndaj Barcelonës dhe kanë barazuar vetëm një.

Pikërisht me tifozët lojtarë të 12-të bëri shaka numri një i Juventusit, Buffon. Portieri i kombëtares italiane tha se “me sa mbante mend ai, asnjëherë një tifoz nuk kishte shënuar gol për skuadrën e tij” duke nënkuptuar se gjithcka varej nga vetë ata.

Celtic-Juventus dhe Valencia-PSG janë dy takimet e para për fazën e 1/8 të Ligës së Kampioneve, që të mërkurën pasohen me supersfidën Real Madrid-Manchester United dhe Shakhtar-Borusia Dortmund.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB