
Samuel Eto’o, në një intervistë të gjatë të publikuar në faqen e internetit të revistës ‘Je Wande’, ka akuzuar drejtuesit e Federatës Kamerunase të Futbollit (FCF) se duan ta vrasin pasi i ka denoncuar për korrupsion dhe menaxhim të keq të futbollit në vendlindjen e tij.
Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Interit, aktualisht tek Anzhi rus, deklaroi: “Drejtuesit e FCF-së duan të bëjnë atentat ndaj meje. Duan të më heqin qafe.”
“Tani jetoj me një grup truprojash dhe njëri prej tyre fle para derës së shtëpisë sime. Nuk e bëj këtë për snobizëm, por dua të jem i sigurtë”, u shpreh Eto’o.
“Unë nuk vesh fanellat që shpërndan federata, por ia kërkoj direkt Pumës. Gjithashtu nuk ha me shokët e skuadrës së Kamerunit sepse kam frikë se më hedhin helm në ushqim”, shtoi bomberi afrikan.
Intervista është bërë në “camfranglais”, një përzierje e anglishtes, frengjistes dhe dialektit të lagjeve të varfra të Kamerunit, aty ku është rritur Samuel Eto’o.
Top Channel