
Kryeministri japonez Shinzo Abe ka dekalruar se për Japoninë është e rëndësishme që të mos mbyllet “dritarja e dialogut” me Kinën për çështjen e ishujve të kontestuar.
Megjithatë, Abe ka dënuar episodin e 30 janarit, kur një anije kineze në ujërat pranë ishujve Senkaku përdori radarin e kontrollit duke shënuar si objektiv një mjet lundrues japonez.
Për ministrin japonez të Mbrojtjes, Itsunori Onodera, veprimi mund të konsiderohet si një kërcënim ushtarak, bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Në fund të janarit, një i dërguar i kryeministrit Abe mbërriti në Pekin për t’u takuar me presidentin Xi Jinping, në përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve të acaruara mes dy superfuqive aziatike.
Natsuo Yamaguchi i dorëzoi presidentit Xi një letër nga kryeministri Abe, por përmbajtja e dokumentit nuk u zbulua për mediat. Megjithatë, Yamaguchi theksoi se të dyja palët ranë dakord se është e domosdoshme që midis dy vendeve të vazhdojë të mbahet dialogu.
Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Kinës mësohej se presidenti Xi i kërkoi përfaqësuesit japonez që Tokio të angazhohet seriozisht në bisedime, “për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dy vendet”.
Përplasja e gjatë midis Kinës dhe Japonisë për sovranitetin e arqipelagut të Senkakut, të ndodhur në një pozion thuajse të barazlarguar nga dy vendet, u intensifikua pasi Japonia bleu ishujt nga pronari i tyre i ligjshëm më parë gjatë vitit te shkuar.
Pekini e konsideron këtë mënyrë të fitimit të sovranitetit mbi territorin si ilegale dhe një “precedent të rrezikshëm” ndërkombëtar.
Top Channel